Norma bazë
BSH tenton të zbusë efektet e krizës, duke ulur interesin e lekut në 4 për qind
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e kishte paralajmëruar një manovër të tillë, uljen e normës bazë të interesit, me 0.25 pikë përqindje. Dhe ashtu veproi në mbledhjen e djeshme të Këshillit Mbikëqyrës, duke përçuar sinjalet ndaj bankave për shumë kontribut në ekonomi përmes kreditit. Tashmë që norma bazë e interesit ka arritur në nivelin më të ulët historik, në 4 për qind, pritet që interesat të shkaktojnë reagime pozitive sa i takon kreditimit, për t’i hapur rrugë likuiditetit në ekonomi.
Në opinionin e Këshillit Mbikëqyrës, lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare në ekonomi do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme. “Ky lehtësim do të nxisë më tej aktivitetin ekonomik në vend, duke rritur stimulin monetar, në mbështetje të kërkesës së brendshme”, ishte deklarata e guvernatorit, dhënë dje për mediat fill pas përfundimit të mbledhjes të Këshillit Mbikëqyrës.
Vendimi i BSH-së vjen në një moment kritik për ekonominë e vendit dhe tentativë për më shumë frymëmarrje, por kjo sipas Fullanit nuk mjafton, pasi shumë “detyra” i takojnë qeverisë, lidhur me stimulin fiskal. Konsumatorët po kursejnë, biznesi nuk po investon, bankat nuk japin më kredi, ekspertët nuk janë në nivelin e duhur, kurse të ardhurat janë modeste. Kaq mjaftojnë për të vënë në lëvizje bankën.
Inflacioni
Inflacioni, niveli i të cilit ka arritur në nivelin afër 2 përqindëshit është shkaku kryesor i vendimit të fundit të BSH. Rritja graduale e çmimeve të konsumit ka reflektuar kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara, ndërkohë që çmimet e ushqimeve të përpunuara dhe ato të mallrave të konsumit joushqimor kanë ulur kontributin e tyre në inflacion gjatë tremujorit të dytë. Kategoritë e tjera të shportës së çmimeve të konsumit kanë pasur ecuri të qetë dhe janë karakterizuar nga norma të ulëta inflacioni. Nga një këndvështrim makroekonomik, ecuria e çmimeve të konsumit vijon të reflektojë presione të dobëta inflacioniste, si nga kahu i kërkesës ashtu edhe nga ai i ofertës. Nga kahu i kërkesës, prania e kapaciteteve të lira në shfrytëzimin e faktorëve të prodhimit është reflektuar në kontrollin e kostove në ekonomi dhe në presione rënëse mbi inflacion.
Inflacioni i çmimeve të konsumit mbetet në nivele të ulëta dhe parashikohet të jetë i tillë edhe në periudhën e ardhshme. “Këto vlerësime kanë kushtëzuar ruajtjen e natyrës stimuluese të politikës monetare edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit”, deklaroi kreu i BSH-së. Norma bazë ka qëndruar në nivelin më të ulët historik, duke ofruar kushte monetare lehtësuese, në funksion të respektimit të objektivit tonë të inflacionit dhe të mbështetjes së zhvillimit të aktivitetit ekonomik në vend. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka vijuar të injektojë të gjithë likuiditetin e kërkuar nga sistemi bankar, kundrejt një baze të zgjeruar kolaterali dhe me afate të përshtatshme maturimi.
Ekonomia
Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, ekonomia shqiptare ka shënuar rënie vjetore prej 0.2% në tremujorin e parë të vitit. Tkurrja e aktivitetit ekonomik në këtë tremujor ka qenë më e theksuar në degën e industrisë, e cila ka shënuar rënie vjetore prej 19.3%, kryesisht nga ulja e ndjeshme e prodhimit të energjisë elektrike. Gjithashtu, edhe dega e ndërtimit ka regjistruar rënie të aktivitetit në terma realë, me 17.6%, duke dhënë një kontribut negativ në ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Vlerësimet për ecurinë e kërkesës agregate në tremujorin e parë të vitit sugjerojnë vazhdimin e ecurisë së plogësht të kërkesës së brendshme. Politika fiskale konsoliduese ka përcaktuar mungesën e stimulit fiskal në këtë periudhë dhe një rënie të kërkesës së sektorit publik për mallra e shërbime. “Dinamika e konsumit privat mbetet e ngadaltë, duke reflektuar sjelljen e kujdesshme konsumatore dhe rritjen e prirjes për kursim. Investimet private kanë qenë gjithashtu të ulëta. Në prani të potencialeve të lira të prodhimit, bizneset shqiptare kanë parë pak hapësira për rritjen e investimeve të tyre në makineri, pajisje dhe hapësira prodhuese, ndërkohë që kërkesa për ndërtesa rezidenciale mbetet e dobët”, ishin disa nga konstatimet e guvernatorit. Në të njëjtën kohë, kërkesa e huaj vlerësohet të ketë pasur ecuri të dobët në këtë tremujor, si pasojë e problemeve në Eurozonë dhe në partnerët tanë kryesorë në tregtinë e huaj. Ecuria e dobët e kërkesës së huaj, si dhe problemet në prodhimin e energjisë elektrike, kanë përcaktuar rritjen e ngadaltë të eksporteve shqiptare.
Borxhi
Zhvillimet fiskale në tremujorin e dytë të vitit kanë ndjekur linjat e vërejtura në tremujorin e parë të tij, të karakterizuara nga sjellja konsoliduese e politikës fiskale dhe nga orientimi i saj drejt ruajtjes së objektivave për deficitin buxhetor e borxhin publik. Kjo sjellje, sipas BSH-së, është shprehur në tkurrjen e shpenzimeve buxhetore me 2.5% në gjashtë muajt e parë të vitit. Ndërkohë, të ardhurat fiskale janë rritur me 3.7% gjatë kësaj periudhe, duke vijuar të shfaqin dinamikë të ngadaltë të komponentit tatimor të tyre. Ecuria e shpenzimeve dhe e të ardhurave publike në gjysmën e parë të vitit është materializuar në ngushtimin e ndjeshëm të deficitit buxhetor në terma vjetorë, në masën 37.7%. Në vlerë monetare, ky deficit rezultoi 16.8 miliardë lekë dhe vlerësohet në 2.6% të PBB-së.
Të dhënat mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë për reduktim të shkëmbimeve tregtare në pesë muajt e parë të vitit. Eksportet në vlerë kanë shënuar rritje të ulët vjetore, prej 1.3% gjatë kësaj periudhe, në reflektim të moderimit të kërkesës së huaj dhe ecurisë së çmimeve në tregjet botërore. Po për këtë periudhë, importet janë tkurrur me 2.0% në terma vjetorë. Këto zhvillime kanë rezultuar në ngushtimin vjetor me 4.2% të deficitit tregtar në pesë muajt e parë të vitit. Ecuria e tregtisë së jashtme në këta muaj është ndikuar në një masë të madhe nga shkëmbimet tregtare të energjisë elektrike. Duke përjashtuar këtë ndikim, rritja e eksporteve është më e madhe dhe tkurrja e importeve më e thellë, duke rezultuar në ngushtim të deficitit tregtar në masën 18.1%.
Eksportet në vlerë kanë shënuar rritje të ulët vjetore, prej 1.3% gjatë kësaj periudhe
Faktet
Paraja – Në krahasim me 2011-n, ritmet e rritjes së ofertës së parasë janë ngadalësuar, në reflektim të kërkesës më të ulët të agjentëve për para
Kredia – Kredia për sektorin privat u rrit me rreth 7.5% në muajin maj, duke ndjekur trendin e ngadalësimit të nisur që në fund të vitit të kaluar
Biznesi – Ecuria e kredisë është duke vuajtur gjithnjë e më shumë nga mungesa e kërkesës së konsumatorit dhe biznesit në kryerjen e shpenzimeve
Bonot – Fillimi i muajit korrik evidentoi reduktimin e kostos huamarrëse në tregun primar, sikurse janë përcjellë nga bankat sinjale pozitive tek interesi
