Interkonjeksioni
Ministri i Financave luan me pretekstin e mbrojtjes së buxhetit, por dëmi sakaq vijon rritjen
ARD KOLA
Çmimi i hekurit, në raport kur u hartua projekti dy vjet më parë, ka pësuar 30% rritje
Ribërja e tenderit dhe vonesat e këtyre dy ditëve sjellin një kosto totale 15 milionë euro
Argumentet e ministrit të Financave për të anuluar tenderin e ndërtimit të linjës së transmetimit 400 kV Tiranë-Prishtinë, se oferta e renditur e para nga KfW paraqet çmim të lartë, bie ndesh me vlerësimet e konsulentëve të huaj në procedurën e prokurimit. Në disa letra të njëpasnjëshme, ministri i Financave i bën të ditur KfW-së, bankës së shtetit gjerman, se nuk do të pranojë firmosjen e një tenderi me kosto të lartë.
“Interesimi i ministrit të Financave përligj detyrimin e tij publik për të siguruar minimizimin e shpenzimeve publike, duke ruajtur rëndësinë dominuese të çmimit më të ulët në tender dhe plotësimin parakualifikues të aftësisë teknike të operatorëve ekonomikë konkurrues”, është përgjigjja e Bodes, drejtuar bankës më 31 korrik. Sipas tij, diferenca mes firmës së renditur e para, “Dalekovod”, është gati 8.2 milionë euro më e lartë se e konkurrentes tjetër, “Energoinvest”, renditur e dyta, pavarësisht se të dyja e realizojnë teknikisht projektin. Ministri argumenton se funksioni i tij parësor është realizimi i projekteve me kosto më të ulët, për të mos dëmtuar interesat ekonomikë të vendit (letra e datës 19 janar 2012).
Pra, ministri synon të kursejë 8 milionë euro dhe sugjeron të lidhë kontratë me “Energoinvest”, e cila ofron një çmim të ulët, ose në rast të kundërt, pranon anulimin e tenderit dhe ribërjen nga e para. Përgjigjja e bankës KfW është “dakord”, e mbështetur edhe nga konsulenti i huaj “Intec”, por duhen marrë parasysh disa elemente, të cilat nuk duhen anashkaluar.
Në rast të ribërjes së tenderit nga e para, qeveria shqiptare duhet të marrë në konsideratë kostot shtesë, direkte dhe indirekte, të cilat shkojnë në më shumë se 15 milionë euro. Sipas vlerësimeve të konsulentit, të bëra publike palës shqiptare më 28 mars 2012 (në mbledhjen e zhvilluar në Frankfurt), të mbështetura edhe nga KfW-ja, nga mungesa e linjave dhe vonesat e vazhdueshme deri në ndërtimin e tyre, Financat shqiptare do të humbasin të paktën 8 milionë euro (nisur nga import-eksportet), plus 6 milionë euro kostot shtesë për zvarritjet. “Intec” thotë se kostot mund të jenë akoma e më të larta, pasi janë bërë me çmimet e viteve 2009-2010. Tjetër kosto nga ribërja e tenderit lidhet me riskun e garancive që do të kërkojnë kompanitë konkurrente, nisur nga rasti precedent i anulimit, duke aplikuar çmime ekstra, sikurse shikohet me shqetësim fakti i një mungese interesimi nga firmat ndërkombëtare (gjithnjë nisur nga problemet që shkaktoi tenderi i parë me vonesat).
E thënë ndryshe, nëse ministri kërkon të kursejë 8 milionë euro duke anuluar tenderin e parë, zhvilluar në 2010-n, ribërja, e cila kërkon edhe 14 muaj të tjerë procedura (në rast se vendos nga dita e sotme, 26 nëntor 2012), do t’i kushtojë dyfish, për të mos thënë më shumë, sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë. Çmimi i hekurit ka tendencë rritje, dhe në raport me periudhën kur u zhvillua tenderi rreth dy vjet më parë, sot ai kushton 30 për qind më shumë, sqaron më tej “Intec”.
Por, sakaq, qeveria shqiptare po paguan. Në letrën e datës 4 janar 2012, të ministrit të Ekonomisë, por edhe nga raportet e KfW-së, vonesat e vazhdueshme na kushtojnë 2.5 milionë euro në vit, si fee për shumën e mosdisbursuar, nga dita e miratimit të kredisë. Banka ka vendosur shumën në dispozicion, por në rast se vonohet përdorimi i saj, shteti shqiptar paguan dhe nisur nga vonesat e shkaktuara nga qeveria jonë, taksapaguesit shqiptarë kanë paguar të paktën 5 milionë euro.
Mungesa e linjave të nevojshme për të transmetuar energji elektrike mes dy vendeve po u kushton miliona euro dhe varësia nga shtetet fqinje bëhet akoma e më e madhe. Dy vjet zvarritje i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 5 milionë euro penalitete, përgjegjësi direkte e kreut të Financave, i cili nuk pranoi të firmoste një tender, me pretekstin e kostos së lartë dhe tani gjendet në udhëkryq, pasi ritenderimi do t’i kushtojë akoma e më shtrenjtë. Në këto kushte, askush nga palët nuk pranon të tërhiqet dhe si gjithnjë janë shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës që do ta pësojnë.
Rruga e Kombit – Ndërtimi i linjave të transmetimit me Kosovën është po aq e rëndësishme sa ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, për të cilën u shpenzuan 1 miliard euro dhe ku, sipas KLSH-së, dëmi i qeverisë shqiptare nga faturat “aforfe” ishin 200 milionë euro