Shkaku – Detyrimet që u mbahen nga buxheti i bashkive dhe komunave janë për llogari të shlyerjes së faturave të energjisë elektrike, të papaguara nga drejtoritë e ujësjellësit, në varësi të njësive
Efekti – Nga akti normativ preken shumë bashki dhe komuna, me efekt minus në buxhetet e tyre, prej 11 për qind, ose gati 1.38 miliardë lekë më pak, para këto që vinin nga zëri grante të pakushtëzuara
Kompania – CEZ ndodhet në situatë të vështirë, pasi në shumë zona të vendit, kryesisht rurale dhe informale, banorët nuk pranojnë t’i paguajnë faturat. Këto probleme kompania i has edhe me institucionet e shtetit
Financat përgatisin aktin normativ të buxhetit 2012
ARD KOLA
Ministri – Akti normativ ka efekt të menjëhershëm në likuidimin e shumave në buxhet
Ministria e Financave ka gjetur një rrugë të shkurtër për të likuiduar faturat e papaguara të energjisë elektrike ndaj CEZ-it, duke ndërhyrë në buxhetin e njësive vendore, me anë të aktit normativ, i cili pritet të miratohet këtë javë në qeveri. Janë rreth 1.3 miliardë lekë (13 milionë dollarë) që u hiqen bashkive dhe komunave nga zëri i granteve të pakushtëzuara, për llogari të CEZ-it, kompania private që menaxhon sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Akti normativ është përgatitur nga ministri i Financave dhe prek tre nene të ligjit për buxhetin e shtetit 2012. Pikërisht në nenin 15, kërkohet ndryshimi i buxheteve për bashkitë dhe komunat, duke u zbritur shumat për llogari të kompanisë CEZ. Sipas vendimit, këto fonde shkojnë si kompensim për ujin e pijshëm, që do të thotë për faturat e energjisë elektrike që ujësjellësit, në varësi të njësive vendore kanë si detyrim ndaj CEZ-it,
“Transferta e pakushtëzuar dhe subvencioni për energji elektrike për furnizimin me ujë të pijshëm të papërdorura gjatë vitit buxhetor, trashëgohen në vitin buxhetor pasardhës”, thuhet në nenin 2 të projekt-aktit normativ. Vendimi i qeverisë vjen në një moment të vështirë për kompaninë CEZ, e cila ndodhet nën presionin e borxheve të mëdha, por së fundmi edhe të gjobave. Të dhënat tregojnë se, kompania ka rreth 50 miliardë lekë detyrime të pambledhura, me një nivel humbjeje prej afro 30 për qind.
Për zbatimin e këtij akti, ministri i Financave duhet të nxjerrë udhëzimin përkatës, i cili prek një shumë të konsiderueshëm për buxhetet e bashkive dhe komunave, me rreth 11 për qind. Në total, buxheti i njësive vendore në fillim të vitit, sa u takon granteve të pakushtëzuara ishte rreth 12 miliardë e 775 milionë lekë, dhe me vendimin e fundit të aktit normativ arrin në 11 miliardë e 390 milionë lekë, pra 1 miliard e 385 milionë lekë më pak.
Grantet e pakushtëzuara janë kthyer në objekt debati mes qeverisë qendrore dhe njësive vendore (kryesisht socialiste, sidomos kur Bashkinë e Tiranës e drejtonte kreu i PS-së, Edi Rama. Këto janë fonde që buxheti i shtetit ua akordon njësive vendore pa asnjë kusht, për nevoja të ndryshme të bashkive dhe komunave. Tjetër zë në buxhet, grantet e kushtëzuara jepen po nga qeveria, por kësaj here me garë, të cilat për vitin 2012 arrijnë në rreth 2.3 miliardë lekë.
Gazeta “Shqip” disponon një kopje të projektvendimit dhe listën përkatëse ku bie në sy diferenca të mëdha në rajonet e drejtuara nga socialistët. Qytetet e Durrësit, Vlorës dhe Fierit, janë zonat më të prekura, me minus 30 për qind fonde që tashmë do të shkojnë për CEZ-in, kurse Bashkia e Tiranës do të ketë vetëm 2 për qind fonde më pak (sikurse shihet nga tab). Hartës së të prekurve nuk u shpëton as qyteti i Shkodrës, me 22 për qind, por ama ka “shpëtuar” Kukësi, rajon që njihet për problemet me mospagesën e faturave të energjisë elektrike. Çështja e faturave të dritave, problem ky jo vetëm i konsumatorit individ apo biznes, por tashmë edhe i vetë institucioneve shtetërore, po shqetëson kompaninë CEZ, e cila është detyruar të ulë investimet. Vetëm shteti mendohet se i ka kompanisë çeke të paktën 5 miliardë lekë.
Fondet
Komunat e Shkodrës padisin ujësjellësin
Katër komunat më të mëdha të Qarkut Shkodër kanë bërë një padi ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellësit, pasi janë bllokuar të gjitha veprimet financiare të këtyre komunave pranë degës së thesarit. Veprimi i ndërmarrjes së ujësjellësit-fshat justifikohet me faktin se katër komunat Rretina, Ana e Malit, Velipoja dhe Bërdica nuk kanë paguar detyrimin që kanë pasur për të paguar energjinë elektrike që është harxhuar për të furnizuar këto komuna me ujë të pijshëm. Shkresa e mbërritur në degën e Thesarit në Shkodër ka bërë që kjo e fundit të mos bëjë asnjë kalim fondi. Kryetarët e komunave i kanë dërguar degës së thesarit edhe kontratën që kanë me ndërmarrjen ujësjellës fshat ku shënohen qartë kushtet që duhet të plotësojnë komunat. Sipas drejtuesve të këtyre komunave kjo kontratë nuk përmban ndonjë detyrim që mund të kenë ndaj kësaj ndërmarrjeje në lidhje me energjinë elektrike. Sipas tyre, e gjithë kjo situatë është e qëllimshme, pasi bëhet fjalë për komuna që janë të fituara nga Partia Socialiste.