Opozita


Ridvan-BodeIsh-ministri i Financave, Ridvan Bode, akuzon qeverinë se po mashtron për shtim të të ardhurave në buxhet. Rishikimi i buxhetit, sipas ekspertit të PD-së, është “thjesht një akt pendues i qeverisë, për të zbutur efektet e dështimeve të qeverisë apo programimeve të gabuara me dashje ose mosnjohja e problemeve”. “Të dhënat e 8-mujorit vërtetojnë se në shtesën e të ardhurave të buxhetit, qytetarët kanë paguar 83% të totalit, ose rreth 190 milionë USD më shumë se 8-mujori i vitit të kaluar, kurse biznesi me vetëm 40 milionë USD”, deklaroi Bode. Duke folur për mungesën e investimeve Bode u shpreh se, “Kryeministri, pa iu dridhur zëri, mashtroi me zë të lartë në ditën me diell se do të rrisë me 152 milionë USD investimet publike. Të dhënat e 8-mujorit flasin për rreth 220 milionë USD investime publike më pak, edhe pse borxhin e rritën në mënyrë galopante. Janë 170 milionë USD më pak investime me financim të brendshëm, edhe pse ka marrë rreth 100 milionë USD hua më shumë nga bankat, ndërsa janë 50 milionë USD më pak financimet e huaja”.