Kreu i Financave, shpenzime ekstra, kurse thesari nuk ka para për institucionet e tjera


ARD KOLA


Ministri i Financave, Ridvan Bode, njihet si zyrtari me konservator në shpenzimet e buxhetit, aq sa debatet e tij në publik me Kryeministrin për sa më shumë kursime në arkën e shtetit, kanë qenë të forta. Megjithatë, faktet e fundit tregojnë se kur vjen rasti i shpenzimeve për komitete në punën e tij, ministri tregohet i pakursyer. Sipas burimeve zyrtare pranë kabinetit të ministrit, prej një muaji është kontraktuar një firmë private për të ribërë nga e para zyrën e Bodes dhe të sekretarit të përgjithshëm. Tenderi u zhvillua në qershor dhe konsiston në ndërtimin e zyrës së re, përfshi dhe mobiliet, me vlerë rreth 100 milionë lekë të vjetra.


Ambientet e zyrës së ministrit kanë qenë në kushte tejet komode dhe të teknologjisë së fundit, duke ngritur kështu pikëpyetje se për çfarë shpenzohen nga buxheti i shtetit qindra milionë lekë, në një kohë kur vendi ka emergjenca më të mëdha (p.sh., zjarret që po djegin pyjet).


Më fillim për modernizimin e zyrave ishin caktuar 120 milionë lekë, por në tender firma fituese ofroi afro 90 milionë lekë të vjetra (me TVSH), me të cilën ministria tashmë ka lidhur kontratë dhe i kërkon që punimet dhe mobiliet të jenë gati brenda 30 ditëve.


Vetëm për pajisjet dhe orenditë e zyrave, ministri ka shpenzuar nga buxheti i shtetit 60 milionë lekë, shifër kjo relativisht e lartë në raport me nevojat e vendit. Vetë ministri lëshoi para disa muajsh një urdhër drejtuar institucioneve të ndryshme duke i kufizuar fondet për shkak se buxheti ishte në krizë. Prej këtij urdhri, tashmë dhe administrata tatimore nuk gjen para për të blerë letër format A4, kurse zyrtarët nuk kanë para për naftën e mjetit.


Sakaq, situata me borxhet te firmat e shumta të ndërtimit ka prekur çdo limit, pasi detyrimi që shteti u ka atyre arrin në 120 milionë euro (pa TVSH), ndërsa në listë janë mbi 50 shoqëri private. Firmat kërkojnë nga ministri i Financave t’u çelë fondet e bllokuara prej dy vitesh. Këtë problem e kanë edhe bashkitë, të cilat ndërprenë investimet pas urdhrit të ministrit për moszbatimin e ligjit për huamarrjen vendore, duke sjellë kështu një tjetër borxh për privatët që kishin filluar punën, madje një pjesë kanë marrë kredi në banka.


Situata me borxhet te firmat e ndërtimit ka prekur çdo limit, duke arritur në 120 milionë euro


 


Vlorë


500 milionë lekë për “sarajet” e Kryeministrit


Disa ditë më parë “Top Channel” publikoi pamjet ekskluzive të së ashtuquajturës Vila 1 në Vlorë, rezidencë qeveritare e rikonstruktuar së fundmi nga qeveria në një shifër të përafërt me gjysmë miliard lek. Kjo rezidencë, që ndodhet pak pasi kalohet tuneli i Vlorës, ka qenë në qendër të debateve të shumta si pasojë e vlerës së mobilimit të saj, aq më tepër në kushtet e krizës ekonomike që ka detyruar qeverinë të bëjë jo pak herë edhe shkurtime të investimeve të parashikuara në disa sektorë prioritarë për vendin. Nga pamjet filmime dalloheshin qartë mobilie moderne, origjinale, lëkurë, të punuar me dru të çmuar dhe të rrallë etj., si dhe pajisje tepër luksoze. Kryeministria reagoi duke thënë se vila nr.1 në Vlorë, nuk i përket Berishës, por zyrtarëve të shtetit, ndërsa nuk sqaroi shumën e shpenzimit prej 500 milionë lekësh.


 


Punimet


Vilë moderne për Presidentin


Menjëherë pas betimit të Presidentit, Bujar Nishani, ka nisur edhe rikonstruktimi i vilës nr. 4, ku ai do të qëndrojë pas kthimit nga pushimet. Sipas të dhënave, ai ka zgjedhur të jetojë në vilën qeveritare që ndodhet në zonën e Pallatit të Brigadave, ndërkohë që aktualisht po jeton në një tjetër vilë qeveritare në Durrës. Nga të dhënat mësohet se vila ishte amortizuar, pasi Presidenti paraardhës nuk ka jetuar në të, kështu që kanë nisur punimet si për rikonstruksionin e saj, ashtu edhe për mobilimin përkatës. Në lidhje me koston financiare nuk është publikuar ndonjë shifër, por mësohet se një brigadë punonjësish, aktualisht po merret me punimet dekorative. Rregullimi i vilës nr. 4, ku do të jetojë Presidenti Nishani, pritet të përfundojë në fillim të muajit shtator, kur ai dhe familja e tij do të kthehen nga pushimet.