Vlerësimi 2012
Fondi Monetar, parashikime të zymta për ekonominë dhe papunësinë. Bode: Nuk e ulim dot
ARD KOLA
Ekonomia e vendit pritet të përfshihet në të tjera situata më të vështira, nga sa ka kaluar deri më tani. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej më shumë se tre vitesh ngre zërin i shqetësuar se kufiri ligjor i borxhit do të tejkalohet në rast se qeveria shqiptare nuk merr masat. Paralajmërimi i fundit erdhi në shkurt të këtij viti, por sërish qeveria vendosi t’i shkonte deri në fund skenarit me shpenzimet buxhetore.
Tashmë nuk diskutohet për rritje me 0.5 apo 1 pikë përqindje, por me kapërcime më të larta nga sa pritej. Parashikimi i fundit i FMN-së tregon se për këtë vit (2012) borxhi publik në raport me Podhimin e Brendshëm Bruto do të arrijë në rreth 64 për qind. Ministria e Financave parashikon ndryshe. Në gusht, Kryeministri miratoi një kufi ligjor 59.9 për qind të PBB-së, kurse tri ditë më parë, drejtori i menaxhimit të borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, ngulmonte në respektimin e planit, për të mos kaluar limitin.
Dihet se raportet e FMN dhe të qeverisë (bazuar tek INSTAT) nuk përputhen, për shkak të metodologjisë së përpunimit të të dhënave, ndërsa Kryeministri jo pak herë e ka thumbuar fondin se “e shikon gotën gjithnjë gjysmë bosh”. Në periudhën kur po diskutohet projektbuxheti 2013, qeveria duhet të tregohet më e matur në vendosjen e limiteve, por edhe këtu misioni duket i vështirë pasi çdo ministër pretendon më shumë fonde.
Rritja ekonomike
Zanafilla e përplasjes me shifrat nis me rritjen ekonomike. Në fillim të vitit, ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti variantin e rritjes së ekonomisë me 4.1 për qind, duke injoruar rekomandimet e ndërkombëtarëve. Pas disa muajsh raportimi negativ nga tatimet dhe doganat dhe publikimit të INSTAT-it se në tremujorin e parë PBB-ja doli -0.2 për qind, qeveria në gusht vendosi të rishikonte rritjen ekonomike, duke e çuar në 3 për qind. Rishikimi i kuadrit makroekonomik deri në vitin 2015, me uljen e parashikimit për rritjen, shkaktoi ndikim negativ te raporti i borxhit publik, ku nga 59 për qind, arriti në 59.9 për qind. Ky është vlerësimi i qeverisë, pasi ndërkombëtarët paraqesin të tjerë skenarë. Sipas Fondit Monetar, rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 0.5 për qind dhe për rrjedhojë borxhi publik do të jetë 64 për qind, nga 58 për qind i PBB-së që ishte në vitin 2011.
Më shumë borxh për ekonominë shqiptare do të thotë më tepër pagesa për shlyerjen e huave. Për këtë vit, qeveria do të nxjerrë nga arka e saj 50 miliardë lekë për pagesën e interesave të kredive të marra. Por edhe në këtë pikë, FMN mendon ndryshe. Duket se palët nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për modelin e llogaritjes së borxhit. Përplasje me shifrat ka edhe për nivelin e papunësisë. FMN pret që ky nivel të arrijë në 15 për qind, kurse qeveria i qëndron variantit 13 për qind, bazuar mbi treguesit e INSTAT-it.
Teoria e Bodes
Për ministrin e Financave, ulja e borxhit, sikurse rekomandohet nga ndërkombëtarët do të ishte një lëvizje jo e zgjuar dhe me shumë risk. “Nuk mund ta ulim” ngulmonte ministri me ton të lartë, dy javë më parë në mbledhjen e Kuvendit për buxhetin faktik 2011. “Po kërkon uljen e borxhit, por ju them me siguri se përmban të tjera risqe, pasi do të na duhet të ulim më tej shpenzimet. Kjo na çon në krizë të sigurt”, shtoi më tej ministri. Në fakt, tezat për shpenzime të larta në kohë krize për të rimëkëmbur ekonominë janë hedhur shpesh dhe diskutohen në të gjitha debatet akademike. Ekonomia kërkon stimuj dhe padyshim që ulja e shpenzimeve, sidomos kur flitet për investime kapitale, nuk shihet me sy të mirë.
Debati me FMN-në nuk qëndron thjesht tek disa shifra modeste me presje dhjetore. Ajo çfarë ekspertët e huaj i druhen situatës në vend janë borxhet e fshehura, detyrimet dhe faturat e papaguara të qeverisë ndaj kompanive private. Mësohet se janë rreth 200 milionë euro për sektorë të ndryshëm dhe FMN thekson se këto detyrime duhen likuiduar, pasi po ndikojnë negativisht te kreditë me probleme.
“Rritja pritet të ngadalësohet në 2012-n, në 0.5%, dhe do të rritet në mënyrë modeste në 1.3% në 2013-n, teksa kërkesa e brendshme do të fillojë të rimëkëmbet gradualisht. Borxhi i lartë publik i Shqipërisë mbart rreziqe makroekonomike dhe fiskale. Mbajtja nën kontroll e tij kërkon një angazhim të besueshëm drejt konsolidimit në afatin e mesëm. Buxheti i vitit 2013 duhet të shënjestrojë një nivel të pandryshuar të borxhit ndaj PBB-së”, thotë FMN në raportin e fundit.
Shifrat
Qeveria u paralajmërua
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që borxhi publik i Shqipërisë të rritet me rreth 56 miliardë lekë (rreth 400 milionë euro), gjë që do ta çojë stokun e borxhit publik në total shumë më lart se sa kufiri aktual ligjor prej 60 përqindësh të PBB-së. Në bazën e të dhënave për ekonominë botërore, parashikimet e reja të FMN-së për Shqipërinë u publikuan pak ditë më parë dhe pasqyrojnë supozimet e ekspertëve të fondit mbi atë çfarë pritet të ndodhë në vitet e ardhshme. FMN-ja kryen parashikime dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë. Në parashikimin e kryer shtatorin e kaluar (2011), FMN-ja vlerësonte se borxhi publik do të rritej në Shqipëri, qoftë si shumë nominale, qoftë si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto.