Sejko firmos rregulloren. “Kontrolli i brendshëm” i çdo banke do të raportojë te Banka e Shqipërisë


Guvernatori i BSH, Gent SejkoVetëm një muaj pasi ndryshoi rregulloren e qarkullimit të parasë në Bankën e Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko firmos detyrimet e kontrollit të brendshëm në bankat dhe filialet e huaja. Sistemi bankar shqiptar ka 14 filiale të huaja dhe 2 banka me kapital vendas. Sipas dokumentit, Banka e Shqipërisë duhet të marrë një herë në vit një raport mbi çështjet e sigurisë dhe risqet financiare për secilën bankë. Më parë, njësitë e kontrollit të brendshëm në këto filiale vepronin sipas rregullave të bankave “mëmë”. BSH vlerëson eficiencën e sistemit të kontrollit të brendshëm në bankë dhe, në rastet kur e gjykon të arsyeshme, mund të mbështetet në raportet e njësisë së kontrollit të brendshëm, në kryerjen e funksioneve të saj mbikëqyrëse. Departamenti i Mbikëqyrjes i BSH kryen takime periodike me strukturat e sistemit të kontrollit të brendshëm të bankës, për të diskutuar mbi fushat me rrezik të identifikuara nga banka dhe autoriteti mbikëqyrës, gjetjet, rekomandimet, planin e kontrollit dhe masat e marra, si dhe funksionimin në tërësi të njësisë së kontrollit. Rregullorja i jep të drejtë BSH-së të marrë masa parandaluese dhe ndëshkimore, në rast mosplotësimi të detyrimeve. Kontrolli i brendshëm kryen verifikime në tre nivele: Linja e parë ka në fokus çdo njësi biznesi dhe ka marrëdhënie direkte me klientin dhe bazohet te transaksionet e vazhdueshme; Linja e dytë ka të bëjë me përputhshmërinë ligjore, me burimet njerëzore, financën, operacionet dhe njësinë e teknologjisë së informacionit. Kontrolli i bazuar në rrezik ruhet në mënyrë të vazhdueshme ose periodike, sipas rastit; Linja e tretë është kontrolli periodik që kryen njësia e kontrollit të brendshëm bazuar në analizat e riskut. Lidhur me organizimin, rregullorja, pasi përcakton strukturat (këshilli drejtues, komiteti i kontrollit, drejtoria, njësia e kontrollit të brendshëm), saktëson se përgjegjësia mbetet e bordit drejtues. “Këshilli drejtues ka përgjegjësinë përfundimtare për të siguruar që drejtoria e bankës ka ngritur një sistem kontrolli të brendshëm efektiv, si dhe vlerëson performancën, të paktën një herë në vit”, përcaktohet në dokument. Njësia në çdo rast përbëhet nga të paktën 2 punonjës. Këshilli drejtues emëron dhe shkarkon drejtuesin dhe punonjësit e njësisë së kontrollit të brendshëm. Shpërblimi i punonjësve të njësisë së kontrollit të brendshëm duhet të jetë në përputhje me politikat e shpërblimit të bankës dhe duhet të shmangë konfliktin e interesit dhe cenimin e pavarësisë dhe të objektivitetit. Njësia e kontrollit të brendshëm kontrollon dhe vlerëson eficiencën e sistemit të kontrollit; zbatimin e procedurave të administrimit të rrezikut dhe metodologjisë së vlerësimit të rrezikut; besueshmërinë e funksionit të administrimit të rrezikut; saktësinë e sistemeve të regjistrimit kontabël dhe të pasqyrave financiare. Sipas rregullores, Këshilli drejtues paraqet në Bankën e Shqipërisë, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës, raportin vjetor mbi aktivitetin e njësisë së kontrollit të brendshëm. Z.A.