Erjon Braçe kritikon Fullanin: Bleu Dajtin, por paguan 1 milion USD për qiratë
Deputeti socialist Erjon Braçe i është rikthyer çështjes së shpenzimeve të fryra në administratë, këtë herë jo vetëm të qeverisë, por një institucioni tjetër publik, Bankës së Shqipërisë.
“Shpenzimet e luksit, të qeverisë dhe institucioneve financiare, BSH, institucione që duhet të rrezatojnë moral në këtë krizë shkurtimesh, jo vetëm që nuk ndalen, por janë rritur në mënyrë dramatike, që kalojnë çdo logjikë”, ka deklaruar Braçe.
Të dhënat nga vetë bilanci zyrtar i bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40 për qind, krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që shpenzimet administrative janë dyfishuar. Zoti Braçe evidenton dy zëra, që sipas tij tregojnë qartë se si banka i përdor paratë publike.
“Për vitin 2012 janë planifikuar 11 milionë lekë të reja në formë kompensimesh ushqimi në BSH-në. Të habitshme janë shpenzimet e sportit, që në vitin 2009 kanë qenë 27.8 milionë lekë të reja, ose rreth 280 mijë dollarë. Në 2012 këto shpenzime janë ulur në 37 mijë dollarë. Çfarë janë këto shpenzime sporti prej 40 mijë dollarësh në BSH”, është shprehur Braçe.
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist thotë se dyshime të forta ka dhe në një tjetër zë shpenzimesh, që lidhet me qeranë që banka u paguan subjekteve private për godinat.
“Vërtet BSH-ja në këto vite ka kaluar në rikonstruksion godinën qendrore, por ka blerë një godinë tjetër, me 40 milionë dollarë dhe në kushtet e këtyre shpenzimeve paguan edhe qira. Do ta shpjegojnë vetë ata se çfarë janë këto shpenzime që janë rritur nga 335 mijë dollarë në 1 milionë dollarë”, ka nënvizuar Braçe.
Kriza e financave publike e ka detyruar qeverinë që, përveç uljes së investimeve publike, të mos kursejë as shtresat më në nevojë të shoqërisë. Vitin e kaluar shpenzimet për ndihmën ekonomike ranë me 337 milionë lekë, ose 2 për qind, krahasuar me një vit më parë.
“Kur këto para shpenzohen në këtë mënyrë, mesazhi që u përcillet qytetarëve është mizor. T’u shkurtosh shpenzimet kategorive në nevojë dhe t’i lejosh vetes këto shpenzime, si ajo e vilës së Vlorës, apo ajo e ushqimeve në BSH, është një turp. Është e turpshme dhe imorale jo vetëm për qeverinë, por edhe për njerëzit që drejtojnë Bankën e Shqipërisë, në veçanti për guvernatorin Fullani”, ka theksuar Braçe.
TCH
Personeli – Të dhënat nga vetë bilanci zyrtar i bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në BSH janë rritur me gati 40% krahasuar me 2009-n
Ushqimet – Për vitin 2012 janë planifikuar 11 milionë lekë të reja në formë kompensimesh ushqimi për zyrtarët e lartë Bankës së Shqipërisë
Palestra – Shpenzimet e sportit, në vitin 2009 kanë qenë 27.8 milionë lekë të reja, ose rreth 280 mijë USD, kurse në 2012 janë 37 mijë USD
Të varfrit – Vitin e kaluar shpenzimet për ndihmën ekonomike ranë me rreth 337 milionë lekë, ose 2 për qind, krahasuar me një vit më parë