Banka e Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interest në ekonominë shqiptare prej 4.25 për qind, duke theksuar se kjo është norma më e ulët historike dhe duke komentuar se mosrritja e interesit reflekton para së gjithash, gjendjen e vështirë ekonomike të vendit.
Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, ku togfjalëshi më i përdorur nga BSH qe “rritja ekonomike nën potencial”, kësaj here, raporti që u lexua nga guvernatori Ardian Fullani u kufizua te konkluzioni që “aktiviteti ekonomik është i ngadaltë”, pa përmendur fjalën “rritje”.
“Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rikthimi i tensioneve në tregjet financiare botërore në muajin e fundit ka rritur ndjeshëm pasiguritë në tregjet financiare ndërkombëtare, duke u përkthyer në kushte më të vështira financimi për sektorin publik e privat. Rënia e kërkesës së huaj dhe shtimi i rrezikut të perceptuar për të gjithë zonën kanë filluar të ndikojnë ecurinë e aktivitetit ekonomik në vendet e rajonit,” tha Fullani.
Duke folur për ecurinë e ekonomisë gjatë tremujorit të parë të këtij viti, BSH vlerëson se ekonomia ka ecur ngadalë dhe konsumi privat gjithashtu.
“Informacioni i disponueshëm statistikor për tremujorin e parë të vitit 2012 tregon për një ecuri të ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Ndër të tjera, kjo ecuri është ndikuar edhe nga faktorë të përkohshëm, si pasojë e kushteve të vështira klimaterike. Megjithatë, analiza e treguesve të disponuar konkludon se kërkesa e brendshme dhe e huaj mbeten të dobëta.
Pas gjallërimit në tremujorin e fundit të vitit, konsumi privat vlerësohet të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit 2012. Ecuria e importit të mallrave për konsum dhe rritja e ulët vjetore e të ardhurave të grumbulluara nga TVSh-ja, sugjerojnë një kërkesë të dobët konsumatore në këtë tremujor. Ky vlerësim mbështetet edhe nga të dhënat cilësore të filtruara nga vrojtimet e konsumatorëve, të biznesit dhe të sektorit bankar. Dinamika e treguesve sasiorë dhe cilësorë sugjeron gjithashtu për një ecuri të ngadaltë të investimeve,” njoftoi BSH. 29 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
Deklarata e plotë mund të lexohet këtu: