Largohet kreu i INSIG, Juka e AKU-s, Proko i Banesave Sociale dhe Andoni i Strehimit
Lëvizjet e fundit duken si larje hesapesh mes aleatëve në qeveri dhe favore për ndere të ndryshme
ARD KOLA
Valë e re largimesh në administratën e lartë shtetërore. Një vit nga fillimi i fushatës, qeveria ka ndërmarrë disa lëvizje të forta në institucione të ndryshme, ndërsa priten të tjera ndryshime në ditët e ardhshme.
Goditjet më të mëdha u ndërmorën në Ministrinë e Transporteve dhe në institucionet vartëse të saj. Në fillim me drejtoreshën e Politikave të Strehimit, “legjendaren” Doris Andoni, e cila për vite me radhë ka mbuluar këtë post duke u kthyer në eksperten më të njohur dhe të përgatitur të shtetit në fushat e ndërtimit të banesave për familjet e pastreha. Shumë projekte të qeverisë, si dhe ato të huajat mbajnë firmën e saj, të cilës i është dashur në shumë raste t’i mbrojë në komisionet parlamentare. Largimi i saj nuk ishte i menjëhershëm. Në fillim, befas ministri i Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, firmos zbritjen e saj në detyrë, vendim që Andoni nuk e ka pranuar duke e ankimuar në Komisionin e Shërbimit Civil. Kundërshtitë e saj sollën më pas largimin definitiv.
Po nga kjo ministri, në të njëjtën sektor, atë të strehimit, mësohet shkarkimi i kryetarit të Entit Kombëtar të Banesave, Ilirjan Proko. Institucioni varet direkt nga Transportet dhe zbaton politikat e qeverisë për ndërtimin e banesave për familjet e pastreha, duke i shitur kundrejt kredive të buta apo të dhëna me qira. Proko e ka mbajtur këtë post për gati katër vjet dhe shkarkimi i tij vjen në një moment krejt të papritur. Mësohet se ai është zëvendësuar nga Ylli Piro, kryetari i degës së Partisë Demokratike të Sarandës, qytet në të cilën Enti Kombëtar i Banesave ka realizuar disa ndërtime në zona të lakmueshme bregdetare, për qëllime përfitimi.
Tjetër largim, jo pak i bujshëm, është ai i Genc Jukës, nga posti i kryetarit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucion i krijuar në vitin 2010. Ish-deputet i Partisë Demokratike për Durrësin, Juka konsiderohet si ndër themeluesit e këtij institucioni, ku së fundmi kishte shpallur disa platforma në luftën kundër abuzimeve në linjat e tregtimit të ushqimeve. AKU kishte kryer aksione të forta në rang vendi, ku nuk kishin munguar gjobat, ndërsa është institucioni që autorizon produktet që duhen lejuar apo jo të importohen në vend. Vendimi për largimin është marrë dy ditë më parë.
Në kulmin e procesit të privatizimit, Ministria e Financave përgatit shkarkimin e drejtorit më jetëgjatë të INSIG-ut, Sajmir Zemblaku. Mësohet se largimi i tij është një marrëveshje politike për t’ia deleguar institucionin një aleati të qeverisë, por, nga ana tjetër, me këtë manovër ministria rrezikon të kërcënojë procesin 3-vjeçar të shitjes së INSIG. Njoftimi zyrtar për largimin e Zemblakut nuk është bërë ende, por vetë kreu i INSIG-ut e konfirmon këtë, duke sqaruar se ky vendim nuk ka lidhje me raportet e KLSH-së të publikuara së fundmi në media për disa shkelje në sektorin e sigurimeve.
Këto, si edhe lëvizje të tjera në rang specialistësh në ministri dhe institucione të ndryshme janë bërë të shpeshta kohët e fundit, dhe duken si manovra për të mbyllur hesapet që Kryeministri ka me aleatët dhe likuidimin e favoreve në poste kyçe.
Sajmir Zemblaku – Drejtori më jetëgjatë i INSIG-ut largohet nga ky post në fazën më interesante të privatizimit të kompanisë shtetërore të sigurimeve
Ilirjan Proko – ër më shumë se 4 vjet mbajti postin e kreut të Entit Kombëtar të Banesave. Zëvendësohet nga Ylli Piros, kreu i PD-së, Sarandë
Genc Juka – Kryetar i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, u largua dy ditë më parë nga detyra. Juka ishte deputet i PD-së për Durrësin ’05-‘09
Doris Andoni – Drejtoresha e Politikave të Strehimit në Ministrinë e Transporteve është ulur në detyrë, duke e ankimuar në KSHC dhe më pas larguar
Ministria
Financat, konkurs fiktiv i sekretarit
Të tjerë largohen me hidhërim dhe të tjerë marrin lajmin e mirë, ose më saktë e konfirmojnë atë. Fati kësaj here i ka buzëqeshur sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Dorian Telitit, i cili pas katër muajsh nga mbajtja e këtij posti, me emërim direkt të ministrit, tashmë po kryen edhe konkursin për ta ligjëruar atë.
Duke qenë se sekretari i përgjithshëm është funksioni më i lartë i administratës shtetërore dhe me status të nëpunësit civil, emërimi i Telitit duhet të ishte bërë me konkurs, pra me garë, gjë që nuk rezulton të jetë realizuar 4 muaj më parë kur mori detyrën, por po e kryen tani. Dy ditë më parë, ministria zhvilloi konkursin dhe për të plotësuar numrin e konkurrentëve, bashkë me Telitin morën pjesë edhe 3 zyrtarë të tjerë të ministrisë, më saktë, miq dhe kolegë të tij, nga fusha e buxhetit, auditit dhe thesarit.
Rezultati final nuk ka dalë ende, por favoriti kryesor mbetet Dorian Teliti, i cili është edhe kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për licencën e lotarisë kombëtare.
a.k.