Debati


Paketa duhet të ishte dorëzuar në qeveri. Tkurren shpenzimet, më pak se 2012-a


Të gjithë ministrat kërkojnë më tepër fonde nga sa i është caktuar. Ky debat po vijon prej javësh aq sa kanë vonuar miratimin e projektbuxhetit të vitit 2013 në qeveri. Vitet e kaluara, paketa ishte gati dhe në fillim të muajit nëntor, Kuvendi e diskutonte, por këtë vit, Ministria e Financave është e paqartë me tavanet. Disa ministri këmbëngulin për më shumë fonde, në mënyrë të veçantë Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, por Financat refuzojnë t’u përgjigjen kërkesave në mënyrë të plotë.


Ndryshe nga sa kishte miratuar qeveria në gusht, buxheti i vitit 2013 pritet të jenë më i vogël se parashikimi, madje më pak se i këtij viti. Vlerësohet të kemi një buxhet afro 386 miliardë lekë, rreth 10 miliardë lekë më i vogël se i këtij viti dhe gati 34 miliardë lekë më pak se vendimi i muajit gusht, për planet 2013-2015. Të ardhurat do të jenë më të reduktuara, gati 355 miliardë lekë, shumë larg planeve të mëparshme.


Sakaq, FMN i rekomandon qeverisë të bëjë kujdes me hartimin e buxhetit. “Konsolidimi do të kërkonte rritje të të ardhurave dhe reduktim të shpenzimeve korente, në një kohë që duhen mbështetur shpenzimet kapitale dhe ato sociale”, thotë fondi në raportin e fundit. Ministria e Financave e ka ende të paqartë se cili do të jetë varianti final, duke e pasur njërën mendje te shifrat negative të këtij viti dhe rreziku i dështimit për herë të katërt me parashikimet “optimiste”.


Dilema më e madhe është te përdorimi i të ardhurave nga privatizimi i “Albpetrol”, ku për FMN duhet të shkojnë për ulje borxhi, kurse qeveria kërkon t’i përdorë për investime dhe rritje rrogash dhe pensionesh.


A.Kola