Komiteti i Rajoneve, 6 vendime me projekte 150 milionë USD, por çel vetëm 7% fonde


ARD KOLA


Nga fillimi i vitit 2012 e deri në dy javët e para të muajit korrik, Kryeministri, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, ka miratuar gjashtë vendime me projekte në sektorin e rrugëve, ujësjellës, shkolla, ambulanca etj., me vlerë rreth 150 milionë dollarë. Si vlerë financimi, konsiderohet hap i rëndësishëm, pasi i jep më shumë frymëmarrje biznesit në kohë krize, por në realitet qeveria nuk ka para në dispozicion dhe nga kjo shumë do të çelë vetëm 7 për qind e investimit.


Këtë fakt ndërtuesit ndoshta nuk e dinë. Në rast se në projektet e Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, aty ku miratohen dhe financohen objektet e njësive të pushtetit lokal, ndërtuesit futen në tenderë, do të duhen të paktën tre vjet për ta mbyllur, kurse qeveria, deri më 2015-n nuk duhet të hapë asnjë front të ri, pasi lista e gjashtë vendimeve është e gjatë, me shumë sipërmarrje, por me pak para.


Fondet për objektet nuk janë çelur ende, pasi në disa vendime ka pasur pasaktësi, sikurse dhe janë ndërruar në momentet e fundit. Në vendimin me nr. 4 janë kryer shumë zëvendësime dhe korrigjime, janë shtuar dhe hequr fonde, kurse në dy vendimet e fundit, me nr. 5 dhe nr. 6, miratimi është bërë pa mbledhje, por vetëm me firma në distancë.


Duket se paaftësia e zyrtarëve në Ministrinë e Financave, duke nisur nga sekretari i përgjithshëm e deri te drejtuesit e kabinetit në Kryeministri, e kanë thelluar akoma e më tej hendekun e borxhit mes shtetit dhe privatit. Qeveria u ka borxh miliona dollarë ndërtuesve dhe ende pa shlyer faturat, hap të tjera fronte pune, duke mos pasur fondet në dispozicion.


Gazeta “Shqip” disponon kopjet e vendimeve, nga ku rezulton se shumë projekte ende pa iu tharë boja e vendimit korrigjohen, anulohen apo zëvendësohen, duke treguar qartë se politika e ndjekur deri më tani në vendimmarrjen e financimeve ka qenë e bazuar mbi interesa klienteliste.


Kështu, në vendimin me nr. 1 të datës 24 shkurt të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, është bërë ndryshimi i vlerës për financim, për projektin e infrastrukturës rrugore në qytetin e Beratit, ku nga 39 milionë lekë, bëhet 30 milionë lekë. Diferenca është 9 milionë lekë më pak dhe askush nga Ministria e Financave nuk mban përgjegjësi nëse bashkia ka hapur tenderin dhe ka shpallur fituesin me vlerën e mëparshme. Ndryshimi është realizuar më 6 qershor, duke e komplikuar edhe më tej financimin, në projekte të tjera.


Gjithashtu, janë kryer korrigjime në listën e projekteve në Qarkun e Dibrës, apo dhe saktësim në projektet e Ministrisë së Bujqësisë dhe atyre të Ministrisë së Transporteve në pjesën e ujësjellës-kanalizime. Janë shtuar projekte të reja në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, si dhe në atë të Arsimit.


Te projektet rrugore, në 13 objekte ka ndryshim financimi me vlerë 50 milionë lekë, në Qarkun e Dibrës korrigjohen 9 projekte po në rrugë, me vlerë 28 milionë lekë, kurse në ujësjellës-kanalizime rishikohen nga e para 5 projekte me vlerë 26 milionë lekë.


Në tri projekte të tjera, dy në Vlorë dhe një në Dibër, ka ndryshim financimi, me vlerë 27 milionë lekë, kurse tek investimet e Ministrisë së Bujqësisë, në sigurinë e lumenjve, është vendosur që financimi për Gjirokastrën të shkojë për lumin Osum të Beratit, për 3.1 milionë lekë. Lëmshi me projektet prek edhe shkollat, ku korrigjimet dhe zëvendësimet kapin vlerën e 53 milionë lekëve. Paaftësia e zyrtarëve të qeverisë arrin deri në pikën ku miratohen projekte në shëndetësi, 4 të tilla në vendimin me nr. 4, por nuk shoqërohet me faturën financiare.


Këto janë rastet e ekspozuara vetëm për vendimin me nr. 4, pasi nëse zbardhen dhe analizohen të tjerat, lista do të ishte shumë e gjatë.


 


 


Financat


Zyrtare, borxhi ndaj ndërtuesve, 130 milionë USD


Ministria e Financave pranon zyrtarisht se borxhi ndaj ndërtuesve arrin në 130 milionë dollarë. Të dhënat janë të fundit, mbledhur nga drejtoria e borxhit, sipas subjekteve përkatëse. E megjithatë qeveria nuk ndal propagandën e hapjes së objekteve të reja, kur në arkën e saj nuk mbulohen dot të gjitha projektet.


Borxhi ndaj ndërtuesve e ka zanafillën nga koha e krizës, në vitin 2009, dhe ka vijuar të thellohet në vitet në vazhdim. Ndërtuesit ankohen se situata e krijuar i ka vënë seriozisht në vështirësi, jo vetëm për të menaxhuar biznesin me synim zhvillimin normal, por deri në pagesat e kredive.


Ministri i Financave, Ridvan Bode, e ka pranuar faktin e ekzistencës së borxhit, por, nga ana tjetër, ka fajësuar vetë firmat e ndërtimit, të cilat, sipas tij, me synim për të kapur disa objekte njëherësh, janë zhytur në borxhe duke punuar paralelisht në kantiere të ndryshme.