Vendimi
Intervali i pagave referencë për llogari të pagimit të sigurimeve për profesionet e lira shtrihet nga 40,250 lekë deri 73,800 lekë në muaj sipas kategorizimit të bashkive. Në vendimin e Këshillit të Ministrave të 21 janarit 2016, njoftuar dje nga Ministria e Financave, caktohen si kritere lloji i veprimtarisë profesionale, zona ku ajo zhvillohet, vitet e punës në profesion, numri i të punësuarve, paga për të njëjtin profesion në sektorin publik, vitet e punës në bazë të licencës në profesion dhe statusi i profesionit. Paga mujore sipas llojit të profesionit përbën kufirin minimal të pagës për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Këto paga vetëdeklarohen nga tatimpaguesi dhe, kur administrata tatimore vëren se deklarimet janë më të vogla nga paga e përcaktuar në këtë vendim, ajo ka autoritetin t’i rivlerësojë. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve për punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, llogaritet në bazë të pagës minimale sipas vendimit të qeverisë të 28 janarit 2015. Për ata që fillojnë punë për herë të parë në profesionet e lira, për tre vitet e para, paga mujore llogaritet 30 për qind më pak, ndërsa në tre vitet e tjera, 15 për qind më pak. Për pensionistët e regjistruar si persona fizikë të vetëpunësuar të vetëm, që punojnë në profesione të lira, vendimi përcakton se nuk kanë detyrim për të paguar kontribute për sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
Pagat e referencës në lekë/muaj
- Farmacist 40250 – 57500
- Programues IT 58183- 88800
- Vlerësues pasurie 55088-73800
- Avokat 61254-73800
- Noter 61254-73800
- Përmbarues 46024-62600
- Konsulent 55088-73800
- Ekspert kontabël 51958-73800
- Kontabilist i miratuar 51958-62680
- Arkitekt 51958-73800
- Inxhinier 51958-73800
- Projektues 51958-73800
- Agronom 51958-62600
- Përkthyes 55088-62600
- Guida 46024-52300
- Veteriner 51958- 62600
- Mësues 45733-58100
- Mjek 49800-73000
- Dentist 49800-73000