Detyrimet
Brenda vitit 2015 shlyhen 35 mld lekë
“Objektivat e këtij viti për sa i përket deficitit fiskal dhe borxhit publik janë të arritshme si rrjedhojë e performancës së mirë të tatimeve e doganave. Është paguar pjesa më e madhe e detyrimeve, që arrin në 26 miliardë lekë. Bazuar në auditin ndërkombëtar, që nuk nxori parregullsi, do të vazhdohet me pjesën e mbetur të detyrimeve, për të arritur në shumën e premtuar brenda këtij viti prej 35 miliardë lekësh”, është bilanci që paraqiti mbrëmë në konferencën e përbashkët me FMN-në, ministri i Financës, Shkëlqim Cani. Ndërkaq, buxheti 2015 nxit ekonominë në dy drejtime: së pari, përmes shpenzimeve kapitale në nivelin e 5.4% të PBB-së dhe së dyti duke mbështetur reformat e thella si në energji, pensione dhe uljen e borxhit publik, deklaroi ministri Cani. Sipas tij, marrëveshja me FMN ndërmjetëson një tranzicion më të butë për uljen e nivelit të borxhit, tha Cani. “Jemi të angazhuar për të vazhduar konsolidimin fiskal dhe për të ulur borxhin”, deklaroi ministri. Ai vlerësoi ecjen përpara të reformës në tatime e dogana. “Ne jemi duke punuar për ndryshimin e sistemit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe për lehtësira të ndjeshme në Drejtorinë e Doganave. Prioritet është edhe reforma e rimbursimit të tatim-taksave. Ligji për TVSH përcakton kritere që e vë kontrollin mbi bazën e riskut, jo çdo veprim duhet audituar, por vetëm veprimet me risk të lartë. Kjo përshpejton procesin e rimbursimit në kohë të TVSH. Do të krijohet edhe kadastra fiskale, për mbledhjen e taksës së pronës, pasi është një nga taksat ku synohet përmirësim i ndjeshëm në mbledhjen e saj”, u shpreh Cani. Energjia, prej shumë vitesh, përbën një barrë të rëndë fiskale për shkak të keqmenaxhimit të sektorit, deklaroi Cani. “Jemi fokusuar në minimizimin e rreziqeve fiskale, sa i takon energjisë, sistemit të pensioneve, dhe për ndihmën për personat me aftësi të kufizuar. Jemi të vendosur për të nxjerrë sistemin energjetik nga kriza, me anë të konsolidimit të reformave në këtë sistem. Kjo mbështetet edhe nga marrëveshja me BB. Qeveria do të sigurojë që ndikimet fiskale të sektorit të energjisë të vijnë në rënie, duke shmangur barrën mbi tatimpaguesit dhe prioritet do t’i jepet mbrojtjes së shtresave në nevojë”, përfundoi fjalën ministri Cani.