Largimi nga Shqipëria, pas planit për heqjen e licencës. Reagon kompania dhe ERE
ARD KOLA
Vijojnë përplasjet mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke, CEZ. Presionet e anasjella kanë arritur dje kulmin, kur pasi pala shqiptare deklaroi se po bëhet gati t’i heqë licencën CEZ-it, kjo e fundit, nga zyra qendrore e Pragës konfirmoi për “Reuters” se ka nxjerrë në shitje aksionet, operacion që nis në muajin janar. Më 21 dhjetor, ERE do të vendosë për licencën e shpërndarjes dhe furnizimit me energji të kompanisë në vend dhe gjasat janë për heqjen, duke i dhënë të drejtë shtetit shqiptar të menaxhojë sistemin.
“Blerësit e mundshëm duhet të shfaqin interes deri në janar dhe më pas CEZ do të vendosë lidhur me hapat e ardhshëm”, njofton kompania, pa bërë publike detajet e negociatave me qeverinë shqiptare. Kjo e fundit, përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) është shprehur se do t’ia marrë aksionet CEZ-it me çmim simbolik 1 euro/aksioni dhe më pas, por qëndrimet e fundit të grupit në Çeki bien ndesh me planet e qeverisë shqiptare, ngërç ky që pritet të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Raportet
METE dhe Enti Rregullator thonë se kompania nuk i ka kryer si duhet detyrat e përcaktuara në kontratë, duke i shkaktuar buxhetit të qeverisë shqiptare humbje të konsiderueshme. CEZ zotëron 76 për qind të aksioneve të blerë në 2009 për 102 milionë euro, kurse 24 për qind i mban pala shqiptare. Pikërisht, ky raport zotërimi aksionesh është në plan për të ndryshuar nga qeveria, në mënyrë që të marrë kontrollin e sistemit të shpërndarjes.
Sakaq, ERE do të nisë më datë 21 dhjetor procedurat për rishikimin e licencës së shpërndarjes të energjisë elektrike. Kompania private e shpërndarjes së energjisë elektrike ka dorëzuar pranë ERE pretendimet e saj për kontratën e energjisë, nga ku mësohet se nuk është në gjendje të plotësojë kushtet. Gjithashtu, ERE njofton se ka urdhëruar përmes përmbarimit bllokimin e llogarive bankare të CEZ, për gjobën 430 milionë lekë, vendosur dy muaj më parë, si pasojë e mosrespektimit të kontratës për mbulimin e humbjeve.
Kufizimet
CEZ Shpërndarje thotë se në asnjë rast nuk ka ndërmarrë shkëputje të energjisë elektrike në mënyrë të qëllimshme, por kanë ardhur për shkak të motit të keq. Përkundrazi, shoqëria saktëson se vetëm gjatë fundjavës ka mobilizuar më tepër se 800 punonjës në terren, për të zgjidhur në mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase çdo defekt. “Ashtu si dhe në fillim të vitit, kur kompania vetëm për të mos lejuar rikthimin e ndërprerjeve të furnizimit me energji të konsumatorëve, mbarti të gjithë koston financiare që ky vendim solli, edhe në këtë moment, CEZ Shpërndarje po bën të gjitha përpjekjet për të furnizuar të gjithë konsumatorët në një situatë ku konsumi ditor i energjisë ka mbërritur në 26.5 milionë kwh në ditë, të dhëna këto që rezultojnë 25% më të larta sesa muaji paraardhës dhe 20% më tepër se e njëjta periudhë vitin e kaluar”, thotë shoqëria.
Falimenti
Kompania pranon se “Për fat të keq, vonesat e shkaktuara nga zëvendësimi i pajisjeve të djegura dhe aseteve të tjera, ashtu siç kemi sqaruar dhe më parë, vijnë si pasojë e gjendjes së vështirë financiare të kompanisë”. Për gjendjen, CEZ ka vënë në dijeni METE-n, bashkaksionerin, se nevojitet blerja e disa pajisjeve, por nuk ka marrë reagim. Aktualisht, kompania është në pritje të një sasie prej afërsisht 100 transformatorësh, të dërguar nga CEZ brenda kësaj jave. Sipas ERE-s, shoqëria deklaron humbje të konsiderueshme për shkak të borxhit të akumuluar prej gjysmë miliardi euro. Afro 45 për qind e energjisë vidhet ose nuk paguhet, kurse arkëtimet nuk kanë ndryshuar aq sa duhet në raport me tragetet. CEZ pranon se nuk është në gjendje të mirë financiare për të investuar në kohë në blerjen e pajisjeve, ndërsa me kalimin e kohës, protestat për kufizimet vijnë në rritje.
METE
Provokimi – Ministria deklaroi disa ditë më parë, se pas monitorimeve të vazhdueshme rezulton se kufizimet kanë qenë të padrejta dhe se CEZ nuk i ka respektuar detyrimet. Sipas zv/ministrit, Eno Bozdo, qeveria shikon si plan të mundshëm marrjen e aksioneve të CEZ me çmim simbolik 1 euro/aksioni dhe të mos provokojë publikun me kufizimet.
ERE
Licenca – ERE do të nisë më datë 21 dhjetor procedurat për rishikimin e licencës së shpërndarjes të energjisë elektrike. Kompania private e shpërndarjes së energjisë elektrike ka dorëzuar pranë ERE-s pretendimet e saj për kontratën e energjisë, nga ku mësohet se nuk është në gjendje të plotësojë kushtet financiare për import.