Kompania
Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të vendosë sot paradite për licencën e kompanisë CEZ Shpërndarje, sa i takon rinovimit të së drejtës për të tregtuar energji elektrike. Kërkesa është paraqitur nga vetë kompania, në përputhje me afatet ligjore, pasi në janar i skadon licenca dhe për këtë shkak i duhet një vendim nga ERE.
Vendimi që do të merret sot pritet me mjaft interes, pasi shërben si sinjal nga qeveria lidhur me raportet ndaj kompanisë çeke, nëse do të vijojnë apo do të ndërpriten, sikurse po diskutohet shumë kohët e fundit.
ERE ka hartuar një relacion mbi situatën në sektorin e furnizimit me energji elektrike, duke renditur disa probleme të shkaktuara nga CEZ Shpërndarje. “Gabimet” kanë të bëjnë me mungesën e investimeve, nivelin e lartë të humbjeve, detyrimet e papaguara ndaj KESH-it dhe OST-së, mungesën e importeve, vijimin e faturimit aforfe, kufizimet kolektive, e deri te mungesa e korrektësisë për raportimin e të dhënave në datën e caktuar.
Kompania i ka KESH-it rreth 11 miliardë lekë detyrime (me interesat arrin në 15 miliardë lekë), si dhe OST-së (4 miliardë lekë), duke shkaktuar një rrjet zinxhir borxhesh. Gjithashtu, kompania i ka shkruar disa herë ERE-s, si dhe qeverisë, për situatën financiare. Letra e fundit, më 1 tetor, duket se shpalli zyrtarisht “luftën”, pasi CEZ pranonte se nuk kishte para për të importuar, duke ia kërkuar KESH-it ta kryente këtë funksion. Qeveria përdori paratë e buxhetit, me vleftë 7 miliardë lekë për të importuar energji elektrike, ndërsa humbjet në rrjet arrijnë deri në 2.2 miliardë kilovat, ku 600 milionë kilovat janë mbuluar me paratë e KESH-it, pra të taksapaguesve shqiptarë.
A.Kola