Kreu i CEZ Shpërndarje Jaroslav Macek deklaroi së fundmi për median Çeke se kompania e tij do të vendosë në fund të këtij viti nëse do të largohet nga Shqipëria apo jo. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta Çeke Hospodarske Noviny cituar nga përmbledhja ditore e lajmeve të agjencisë Reuters.
CEZ ka kërcënuar më herët me largim dhe ka ngarkuar një kompani britanike për menaxhimin e krizës së saj në Shqipëri. Kompania vlerësohet se mund të humbasë rreth 200 milionë dollarë gjatë këtij viti si pasojë e arkëtimeve të ulëta, humbjeve të larta dhe, sipas saj, vendimit të Entit Rregullator të Energjisë në Shqipëri për të mos lejuar rritjen e çmimit për konsumatorët fundorë.
Aktualisht CEZ ka ndërprerë pagesën e importit të energjisë elektrike në Shqipëri prej disa muajsh si dhe nuk ka shlyer energjinë e blerë nga KESH Sh.a.
Kriza e CEZ Shpërndarje mund të kthehet në krizë tërësore në Shqipëri për shkak se aktualisht importet e dritave po paguhen nga buxheti i shtetit, i cili sakaq është në vështirësi. Këtë vit, KESH ka siguruar kredi të garantuara nga qeveria për importimin e dritave, por edhe në vitin 2013, korporatës mund t’i nevojiten 100 deri në 200 milionë euro të tjera për të mbuluar nevojat e Shqipërisë për energji.