CEZ ShperndarjaGjigandi i energjisë CEZ pësoi një rënie të lehtë në bursën e Pragës pas shtimit të mosmarrëveshjeve me qeverinë shqiptare dhe shfaqjes së pretendimit të METE për dëme në masën 1 miliardë euro që sipas zëvendësministrit të Ekonomisë Enno Bozdo, kompania i ka shkaktuar Shqipërisë, njofton Bloomberg. Ndërkohë, një analist në Pragë bëri të ditur se pretendimi i qeverisë shqiptare duket i palogjikshëm dhe se nuk pritet që CEZ të paguajë një shumë të tillë.


Aksionet e CEZ ranë me 0.4 për qind në 658 korona mëngjesin e sotëm, pasi pati shënuar një çmim shumë të lartë gjatë ditëve të fundit, kur kompania e konsulencës Goldman Sachs i këshilloi aksionet e gjigandit të energjisë si të vlefshme për t’u blerë.


CEZ po përpiqet të shesë filialin e vet në Shqipëri pas mosmarrëveshjeve me qeverinë shqiptare mbi taksat dhe çmimet e blerjes së energjisë “për të minimizuar humbjet potenciale,” deklaroi drejtori ekzekutiv Daniel Benes për një gazetë ceke.


Qeveria shqiptare deklaroi se kundërshton ashpër planin dhe nxorri pretendimin se CEZ i detyrohet rreth 1 miliardë dollarë dëme.  “Pretendimi për dëme nuk duket i logjikshëm dhe ne nuk presim që CEZ të paguajë këtë shumë, por gjasat që kompania do të gjejë një blerës shpejt për njësinë jofitimprurëse shqiptare janë pothuajse zero pas këtij lajmi,” tha Josef Nemy, një analist në Pragë. “Për rrjedhojë rreziku i më shumë humbjeve nga shpërndarja e energjisë në këtë vend po rriten,” shtoi ai.