BSH: Bien 31% të ardhurat e “punëtorëve kufitarë”
Zamir Alushi
Të gjitha parashikimet se dërgesat e emigrantëve shqiptarë do të bien për shkak të krizës botërore, u rrëzuan nga realiteti. Sipas vlerësimeve paraprake të Bankës së Shqipërisë, hyrjet në formën e dërgesave të emigrantëve gjatë tremujorit të katërt 2014, ishin rreth 172 milionë euro duke shënuar një rritje prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Transfertat neto të emigrantëve përbëjnë rreth 83% të të ardhurave dytësore. Ndërkohë, të ardhurat dytësore u vlerësuan në 205 milionë euro, në rritje prej 23 milionë euro ndaj së njëjtës periudhë në 2013-n. Ky trend ka vazhduar gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar rritjen e solidaritetit të emigrantëve ndaj familjeve dhe të afërmve të tyre në Shqipëri, që përballeshin me papunësinë, varfërinë dhe shtrëngimin për të paguar borxhet e energjisë elektrike. Në tremujorin e parë të ardhurat e emigrantëve patën një ulje të lehtë vjetore duke rënë nën 130 milionë euro, ndërsa në tremujorin e dytë, remitancat ishin në rritje duke shënuar mbi 140 milionë euro të ardhura. Rritja vazhdoi edhe në tremujorin e tretë dhe në fund të vitit arritën kulmin. Megjithëse qeveria mundohet ta fshehë faktin se ekonomia po mbahet pikërisht nga paratë që dërgojnë emigrantët në atdhe, kjo duket qartë nga një krahasim mes remitancave dhe borxhit që ka marrë Shqipëria nga jashtë. Në fund të tremujorit të katërt të vitit 2014, vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 6,665 milionë euro. Gjatë këtij tremujori stoku i borxhit u rrit me rreth 42 milionë euro. Pra, borxhi i huaj është mbi katër herë më i vogël se shuma e dërgesave të emigrantëve. Për më tepër, paratë e emigrantëve nuk janë borxhe që duhen kthyer. Në krahasim me fundin e tremujorit të katërt të vitit 2013, stoku i borxhit të huaj është rritur me 488 milionë euro. Rreth 80% e borxhit është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është afatshkurtër, kryesisht i marrë nga sektori bankar. Vetë qeveria zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 40% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (18%), sektorëve të tjerë (17%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (24%). Pra, nëse do ta përpjesëtonim në këtë formë, paratë e emigrantëve janë më tepër në raport me financimet që ka siguruar qeveria kryesisht përmes FMN, BB dhe BERZH-it. Për shkak të krizës së vendeve fqinjë, (Greqi, Itali, Maqedoni, Mali i Zi dhe Kosovë), vërehet rënie e madhe e të ardhurave që sigurojnë ata qytetarë shqiptarë që për shkak të punëve që kryejnë jashtë shtetit, quhen “punëtorët sezonalë dhe kufitarë”. Dy burimet kryesore të llogarisë “të ardhura parësore”, “puna e punëtorëve sezonalë dhe kufitarë” dhe “të ardhurat nga investimet”, sipas Bankës së Shqipërisë vlerësohen në rënie, përkatësisht me 31% dhe 6%. Llogaria e të ardhurave parësore u mbyll me një tepricë negative prej 47 milionë eurosh. Në llogarinë e të ardhurave parësore, të ardhurat në valutë ranë me 17% ndërsa shpenzimet u rritën me rreth 2 herë, në krahasim me një vit më parë. Ndërkohë, fluksi dalës nga të ardhurat nga investimet ka regjistruar 70 milionë euro kundrejt 24 milionë euro një vit më parë, kryesisht në formën e pagesave të dividendëve dhe vlerës së fitimit të riinvestuar pjesë e investimeve direkte në Shqipëri. Gjatë tremujorit të katërt 2014, bilanci negativ i të ardhurave nga investimet e tjera është thelluar në 10 milionë euro, ndikuar kryesisht nga rritja e fluksit dalës në formën e pagesave të interesave për huat. Edhe nga këto të dhëna përforcohet konkluzioni, se ekonomia po ndihmohet nga djersa e emigrantëve shqiptarë. Qeveria në programin ekonomik ka llogaritur kurbë rënëse të dërgesave të emigrantëve dhe rritje të Investimeve të Huaja Direkte. Sipas BSH, në tremujorin e katërt 2014, Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri kanë rezultuar 242 milionë euro. Në një shpërndarje sektoriale, prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve me rreth 69%. Sektori bankar dhe sektorët e tjerë përfaqësojnë përkatësisht 4% dhe 27% të flukseve hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte. Fluksi i Investimeve të Huaja Direkte për vitin 2014, rezulton më i ulët se ai i vitit 2013, edhe për shkak të diferencës që shkaktohet nga privatizimet e kryera në vitin 2013 (4 hidrocentrale). Bilanci Remitancat Hyrjet në formën e dërgesave të emigrantëve gjatë tremujorit të katërt 2014, ishin rreth 172 milionë euro. Të ardhurat Sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat neto të emigrantëve përbëjnë rreth 83% të të ardhurave dytësore. Krahasimi Gjatë këtij tremujori, stoku i borxhit u rrit me rreth 42 milionë, mbi katër herë më pak se remitancat. Rënia Të ardhurat nga punëtorët kufitarë dhe nga investimet vlerësohen në rënie me 31% dhe 6%. Paraja Në llogarinë e të ardhurave parësore, valuta ra me 17%, shpenzimet u rritën 2 herë. Transfertat Fluksi dalës i të ardhurave nga investimet, 70 mln euro kundrejt 24 mln euro një vit më parë. Tremujori Paradoksi i shifrave, në mes të valës së emigracionit, bie numri i udhëtimeve jashtë Shqiptarët ulin numrin e udhëtimeve jashtë me 9%, raporton Banka e Shqipërisë për tremujorin e katërt 2014. Shifra, që nuk korrespondon me rritjen e valës së emigrimit, ose nuk është e saktë, ose qytetarët kanë hequr dorë nga një pjesë e mirë e udhëtimeve turistike. Nga ana tjetër, numri i vizitorëve të huaj është rritur me rreth 8%, megjithatë rezulton se kanë harxhuar më pak para në vendin tonë. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 63% dhe 61% të totalit. Si të ardhurat, ashtu edhe shpenzimet e udhëtimit kanë pësuar rënie, përkatësisht me 3% dhe 13%, kundrejt një viti më parë. Rënia vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe është kryesisht pasojë e rënies prej 13% të shpenzimeve mesatare të jorezidentëve në vend. Nga ana tjetër, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 271 milionë euro ose 13% më pak se një vit më parë. Shifrat zyrtare të hyrje-daljeve në Shqipëri, vazhdimisht janë marrë me rezerva, për shkak të nevojës së qeverive për të manipuluar shifrat e turistëve dhe së fundi, të emigrantëve.