Para takimit me FMN-në


Paketë për rikualifikimin e biznesit. Taksë zero për zanatçinjtë dhe ambulantët


Zamir Alushi


banner_biznesi_lezhe_lajm_1


Ndryshimet


Përfituesit


Numri i të vetëpunësuarve zanatçinj, që do të përfitonin nga heqja e taksave, llogaritet të jetë të paktën 100 mijë vetë


Ambulantët


Ekspertët kanë propozuar që tregtia dhe shërbimet ambulante të përjashtohen nga taksat e biznesit të vogël


TVSH


Deri tani, ekspertët kanë rënë dakord se duhet hequr niveli pesë milionë lekë për subjektet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)



Një grup ekspertësh nga pesë ministri, në drejtimin e Ministrisë së Financave po përgatisin një paketë kundër informalitetit e quajtur “Rikualifikimi i biznesit”, e cila do t’i propozojë Kryeministrit disa alternativa, ku përfshihet edhe ulja e taksave. Kjo paketë do të diskutohet edhe në Uashington me FMN-në, nga kreu i Financave, Shkëlqim Cani, i cili do të marrë pjesë në takimin vjetor që mbahet në tetor.


TVSH


Deri tani, ekspertët kanë rënë dakord se duhet hequr niveli pesë milionë lekë për subjektet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Precedent për heqjen e këtij kufiri është kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në në profesionet e lira, si avokatët, noterët, mjekët e specializuar, dentistët, farmacistët, infermierët, mamitë, veterinerët, arkitektët, inxhinierët, projektuesit, ekonomistët, agronomët, ekspertët kontabël të regjistruar dhe kontabilistët e miratuar. Që nga 1 shkurti 2011, kjo kategori paguan TVSH, pavarësisht sesa janë të ardhurat e realizuara. Manipulimi i pragut të TVSH-së nga biznesi i vogël është problem që ka dalë zbuluar nga monitorimi i xhiros përmes kuponëve tatimorë të lëshuar. Alternativa më e diskutuar për të shmangur informalitetin është heqja e kufirit të TVSH-së dhe kompensimi i biznesit të vogël me ulje takse ose rimbursim. Qeveria nuk do ta ketë të vështirë ta bindë FMN-në për lehtësime ndaj biznesit të vogël, për arsye se shuma e të ardhurave që mblidhen nga taksat e biznesit të vogël janë vetëm dy deri në pesë për qind të totalit. Aktualisht, bizneset VIP apo të mëdha paguajnë deri në 70 për qind të totalit të të ardhurave, biznesi i mesëm deri në 25 për qind dhe pjesa tjetër nga biznesi i vogël. Për periudhën janar – gusht 2015, biznesi i vogël ka paguar 1.5 miliardë lekë, rreth 105 për qind të planit tetëmujor. Ndërsa, shuma e TVSH-së së arkëtuar është 84.7 miliardë lekë, pothuajse aq sa ishte planifikuar. Por, pasi kanë dalë rezultatet e para të operacionit kundër informalitetit, qeveria është optimiste se ka rezerva për të arkëtuar më tepër TVSH (referuar shtimit të numrit të kuponëve të lëshuar me 50 për qind).


Biznesi i vogël


Ekspertët kanë propozuar që tregtia dhe shërbimet ambulante të përjashtohen nga taksat e biznesit të vogël. Po ashtu, subjektet që janë të vetëpunësuar duke kryer shërbime apo duke ofruar produkte të zejtarisë do të kenë vetëm detyrimin për të paguar siguracione dhe do të përjashtohen nga taksat. Duke prekur këtë çështje, Kryeministri Rama u shpreh se “duhet të gjejmë rrugë për të ndarë mirë se çfarë është biznes. Unë nuk dua më të flasim për biznes të vogël dhe biznes të madh, por çfarë është biznes që është i lidhur me zinxhirin e tregtimit me shumicë dhe çfarë është biznes që është vetëm vetëpunësim”. “Një grua që arnon pantallona për çunat e lagjes dhe që nxjerr vetëm rrogën e vet, një këpucar dhe një sërë zejesh të tjera, janë një burim, janë një mundësi e mirë vetëpunësimi, por nuk mund të jenë dot në kushtet e një biznesi që merr kontabilist, paguan TVSH-ra e histori të tjera. Këtu ne do të bëjmë një dallim shumë të fortë, mbasi të gjithë të regjistrohen”, deklaroi Rama. “Dikush ka një dyqan që shet qëndisma, që nuk i vijnë as nga importi, as nga grosistët, por janë produkt i punës së një familjeje. Si mundet t‘u themi atyre, shkoni kontabilizohuni! Po ata duhet të regjistrohen”, përcaktoi Rama. Për sa u përket zejeve, Rama tha se “duhet të bëjmë një politikë absolutisht liberale dhe mundësisht pa asnjë taksë. Zero! As taksë, as TVSH, asnjë gjë. Por regjistrim dhe monitorim, për të mos pasur nga ato lodrat që krijohen zinxhirë rrobaqepësish nëpër lagje, për të bërë fabrikë pantallonash”, tha Rama. Të vetëpunësuarit (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë me pagë), sipas të dhënave të INSTAT-it, përbëjnë 27,2% të të punësuarve në tërësi. Numri i të vetëpunësuarve zanatçinj, që do të përfitonin nga heqja e taksave, llogaritet të jetë të paktën 100 mijë vetë.