
Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i japë qeverisë shqiptare 175 milionë euro hua. Lajmin e bëri të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili theksoi se ky fond do të jetë i aksesueshëm javën e ardhshme dhe do të shërbejë për uljen e efekteve negative që shkaktohet nga mbyllja e bizneseve në vendin tonë nga rreziku i përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
“Janë 175 mln euro do të jepen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për qeverinë shqiptare, në formën e një huaje dhe likuiditeti i nevojshëm në monedhë të huaj është siguruar si nga sistemi bankar ashtu edhe nga FMN”, deklaroi Sejko gjatë një emisioni në Ora News.
Në kushtet e një krizë nga koronavirus se për vitin 2020, guvernatori paralajmëroi se ndoshta dhe në 2021 do të rritet niveli i borxhit dhe deficitit financiar. “Disa parametra dhe kritere që ishin të parashikuara në kohë normale siç ishte niveli i borxhit, niveli i deficitit buxhetor nuk do të respektohen, pasi jemi në gjendje të jashtëzakonshme dhe në bashkëpunim me FMN dhe institucionet e tjera ndërkombëtare ne jemi duke bashkëpunuar dhe është orientim i tyre që ne duhet të dalim përkohësisht nga disa objektive, siç ka qenë konsolidimi fiskal pra ulja e nivelit të borxhit. Pra do të detyrohemi të kemi një rritje të nivelit të borxhit për një periudhë të përkohshme dhe pastaj me kalimin e krizës do t’i rikthehemi sërish konsolidimit fiskal. Mendohet që viti 2020, ndoshta dhe 2021, por e sigurt që 2020 do të ketë rritje të nivelit të borxhit, një rritje të deficitit fiskal dhe praktikisht kjo rritje do të vijë në rënie në vitet e ardhshme. Kjo është për gjitha shtetet”, deklaroi Sejko.