Duhani
Administrata doganore e shikon të pamundur luftën ndaj kontrabandës pa ndihmën dhe bashkëpunimin e vet firmave të prekura nga ky fenomen. Për këtë arsyeje, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, nënshkroi dje një marrëveshje me “Japan Tobacco International” (JTI), një prodhues kryesues botëror, për të luftuar të gjitha format e tregtisë së paligjshme të duhanit në mënyrë më efektive. Të dyja palët do të shkëmbejnë informacion dhe do t’i ofrojnë njëra-tjetrës asistencën e kërkuar teknike dhe ekspertë, në një luftë të përbashkët kundër tregut të paligjshëm të cigareve. “Një nga faktorët kyç në rrënjë të problemit është diferenca domethënëse në çmime mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje me të. Kjo është arsyeja pse harmonizimi rajonal i niveleve të akcizës është i nevojshëm. Të kontrollosh tregun shqiptar të cigareve, duke përfshirë mundësinë e dhënies së licencave për këtë tregti, do ta ulte edhe më tej rrezikun e tregtisë së paligjshme”, u shpreh zv/presidenti i kompanisë, Cristian Cring.