Asnjë ofertë për privatizimin e 4 HEC-eve. Enigma, kompanitë u tërhoqën në momentet e fundit
Shikohet si opsion ofertat me vlera të ulëta, që mund të kenë sjellë anulimin e tenderit
ARD KOLA
Vjen zyrtarisht konfirmimi se privatizimi i katër HEC-eve me kapacitet 76 megavat ka dështuar plotësisht. Ministria e Ekonomisë paraqiti disa shkaqe të këtij mossuksesi, por nuk tha të vërtetën se kompanitë kërkojnë garanci për energjinë e shitur dhe çmimin. Me shumë gjasa, shitja e aksioneve të shoqërive HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 sh.a. dhe HEC Ulëz-Shkopet, do të realizohet vetëm në rast se kompanitë e interesuara të kenë marrë garanci nga qeveria se çmimi i energjisë do të jetë i liberalizuar dhe jo i imponuar nga ERE, kurse sasia mund të tregtohet edhe jashtë vendit.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi t’i propozojë Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ribërjen e tenderit për shitjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërive në fjalë. “Arsyeja lidhet me faktin se investitorët e njohur ndërkombëtarë kanë shprehur interesin e tyre për të vazhduar pjesëmarrjen në procesin e shitjes së aksioneve të shoqërive HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2 dhe shoqërisë HEC Ulëz-Shkopet, duke kërkuar kohë shtesë për të përgatitur ofertat e tyre”, deklaroi dje kryetari i komisionit, Sokol Dervishaj.
Sipas tij, investitorët kanë theksuar nevojën për të zgjidhur çështjet që lidhen me financimin e privatizimit nga institucionet kryesore financiare europiane, si dhe për të adresuar një numër të pyetjeve që kanë të bëjnë me tregun shqiptar të energjisë elektrike. METE bën të ditur se do t’i konsiderojë seriozisht këto kërkesa dhe do të marrë së shpejti një vendim në lidhje me rishpalljen e tij.
“METE do të vazhdojë të bashkëpunojë me investitorët potencialë dhe me konsulentin ndërkombëtar IFC, me qëllim arritjen e rezultatit më të mirë të mundshëm të procesit të privatizimit.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të vazhdojë komunikimin e vazhdueshëm dhe transparencën me median dhe opinionin publik, për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në këtë proces privatizimi”, mbyllej njoftimi.
Argumentet e kryetarit të jurisë duken jo fort të besueshme. Kompanitë që kur hynë në garë i dinin rregullat e tregut energjetik në Shqipëri, dinin që çmimet i vendos ERE dhe se KESH do të ishte blerësi i vetëm. Të interesuarit, mes tyre dhe kompani shqiptare e njihnin legjislacionin, kështu që koha e pamjaftueshme për ta rishikuar duket e pabazë, aq më tepër kur thuhet në momentin e fundit.
Dervishaj thotë se kompanitë nuk kanë arritur të sigurojnë aq sa duhet garancinë financiare nga bankat private, për shkak edhe të efekteve nga kriza ekonomike. Në fakt, shoqëritë që morën pjesë në tender punuar për më shumë se 5 muaj për të marrë pjesë në garë dhe kishin kohë të mjaftueshme. Pastaj, tregu energjetik, sidomos ai i prodhimit, konsiderohet tepër fitimprurës dhe në kushtet ku ndodhen 4 objektet, me teknologji të fjalës së fundit dhe në gjendje të mirë, garancia nga bankat nuk do të ishte problem.
Dy janë faktorët që mund të kenë sjellë dështimin e tenderit. Garancia për çmimin, pra investitorët duan ta shesin energjinë e prodhuar me çmime tregu e jo të rregulluara dhe ofertat e tyre, që ndoshta nuk kanë qenë bindëse për Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.
Fitimet e kompanive
Të katërta HEC-et ndodhen në gjendje të mirë, sidomos ato të jugut, Bistrica I dhe Bistrica II, për të cilat qeveria shqiptare shpenzoi 30 milionë euro (kredi e Bankës gjermane KfW) për të forcuar kapacitetet. Këto objekte garantojnë një fitim të sigurt, pasi energjinë e prodhuar ka të drejtë t’ua blejë KESH-i, më një çmim të caktuar nga ERE për afro 9 lekë/kilovati. Të katër hidrocentralet prodhojnë mesatarisht 546 mijë MW/h, e cila, duke marrë parasysh çmimin aktual të energjisë në treg të hapur prej 50 eurosh për MW/h, nënkupton se kanë potencial për xhiro vjetore prej 22.8 milionë eurosh.