Kreu i Financave hap zyrtarisht procedurat për shkurtimin e buxhetit


Ndryshe nga nota rozë e Kryeministrit, kreu i Financave foli dje hapur se vendi është dorëzuar para presionit të krizës globale dhe se është duke përgatitur skenarët për rishikimin e buxhetit të shtetit.


I ftuar në konferencën e IFC-së për nivelin e taksave në rajon, ministri u ngacmua nga mediat rreth planit për uljen e shpenzimeve, si mjeti i vetëm për të stabilizuar arkën e shtetit. “Siç kemi bërë për gjithë këto vite, vijojmë edhe këtë vit të rishikojmë kuadrin tonë makro-ekonomik, objektivat për vitin 2012 në përputhje me zhvillimet në ekonominë globale, në ekonominë rajonale dhe për më tepër në zhvillimet konkrete në ekonominë shqiptare”, u shpreh ministri Ridvan Bode.


Ministri pranoi se të ardhurat nuk janë në nivelin e duhur, larg objektivit të kërkuar dhe se me ecurinë e 5-mujorit, tashmë projekti për shkurtim të shpenzimeve është i pashmangshëm. Ministri gjithashtu deklaroi se ekonomia nuk po performon si duhet, pasi në kushtet ku operon, e rrethuar nga vende fqinje në borxhe dhe në krizë të thellë likuiditeti, është e pamundur të mos infektohesh.


Për vitin 2012, bazuar në parametrat e një buxheti prej 3.9 miliardë dollarë, qeveria parashikon një rritje ekonomike 4.3 për qind dhe me nivel investimesh prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar. Me shumë gjasa, këta tregues do të rishikohen. “Të gjitha këto janë elemente për t’u vlerësuar konkretisht dhe në përputhje me zhvillimet aktuale të ekonomisë dhe perspektivën e gjashtëmujorit të dytë të mund të formulojmë një objektiv që të jetë sa më i përputhur”, thotë Bode.


Sakaq, pak ditë më parë, gazeta “Shqip”, pas vëzhgimit të realizuar në disa raportime të vetë ministrive dhe institucioneve, publikoi fakte se, praktikisht manovra e kursimeve ka nisur me kohë.


Disa institucione buxhetore kanë raportuar për tremujorin e parë se kanë punuar me një “buxhet të rishikuar” për vitin 2012, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar asnjë ligj për rishikim buxheti. Shkurtimi i shpenzimeve buxhetore u pa si i domosdoshëm që nga fillimi i këtij viti, por qeveria nuk dërgoi kërkesë për ndryshime në Parlament, dukshëm për të shmangur debatet politike mbi këtë dështim flagrant në parashikimin e ecurisë së ekonomisë. Zyrtarisht, Shqipëria vijon të ketë atë buxhet që Parlamenti votoi dhjetorin e kaluar, ndërsa në praktikë ka një buxhet më të vogël. Shkurtimi i shpenzimeve mësohet se është bërë me një qarkore të lëshuar nga Ministria e Financave dhe e papublikuar. Ligjshmëria e shkurtimit të shpenzimeve buxhetore pa miratimin e Parlamentit është e dyshimtë. Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor (ZABGJ) është një nga institucionet që ka raportuar drejtpërsëdrejti ekzistencën e një plani shpenzimesh të ndryshëm nga ligji i miratuar në Parlament.


A.K.


 


Konferenca


Transferimi i çmimeve, një praktikë që përdoret nga bizneset shumëkombëshe për të lehtësuar barrën e taksave ishte në qendër të një takimi të gjerë që organizoi Korporata Financiare Ndërkombëtare në Tiranë