
Drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela të hënën deklaroi se nuk do të ketë rritje tarifash për 1 milion abonentë që furnizohen nga OSHEE.
Në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku dhe u diskutua për projektin e OSHEE-së për reagimin e krizës ndaj pandemisë Covid-19, Çela tha se deri më datë 1 janar, nuk preket tarifa.
Sipas tij, më datë 1 janar, Enti rregullator do paraqesë propozimin, por deri më tani nuk është aplikuar për asnjë rritje tarife. Çela tha se tregu i liberalizuar ka filluar shumë vite përpara.
“Rritje tarifash për 1 milion abonentë që furnizohen nga OSHEE nuk do të ketë. Në krahasimet i kemi bërë me veten. Shqiptarët e kanë harruar atë periudhë kur iknin dritat. Ka ende për t’u bërë, por përmirësimet janë të dukshme. Në katër vite OSHEE ka përballuar krizën e thatësirës, sepse KESH për shkak të prurjeve nuk ka garantuar sasinë e nevojshme për të furnizuar klientët. I është dashur të ndërpresë investimet për të importuar energji në tregun e lirë. As tarifa nuk është prekur dhe as nuk ka trokitur në derën e qeverisë”, tha Çela.
“Pjesa tjetër është pjesë e një reforme që ka nisur që me miratimin e ligjit energjetik në mars 2015, që parashikon tregun e liberalizuar gradualisht, i cili ka filluar më shumë se 10 vjet përpara me klientët e lidhur me linjës 110 KW, ka vazhduar me 97 subjekte në vitin 2018 të lidhur me nivelin 35 KW dhe më 1 janar e gjithë pjesa tjetër që është e lidhur me tension të mesëm do të dali në tregun e lirë edhe si pjesë e projektit me BB, ndërsa ka përfunduar platforma mes OST dhe OSHEE për këtë treg”, tha Çela.
Përsa i përket cilësisë së shërbimit ai tha se, niveli i defekteve është ulur ndjeshëm, i ankesave gjithashtu ndërsa shtoi se sektori energjetik shqiptar ka nevojë për investime të reja.
Çela tha se periudha e pandemisë e preku sektorin energjetik në disa drejtime: si afektimin e 50% të punonjësve, ulja e nivelit të kontrolleve, pamundësia për të bërë leximet në kohë reale që imapktojnë në bilancet energjetikë si dhe dhe mos realizimi i investimeve, pasi edhe nënkontraktorët i ndërprenë investimet.
“Mos realizimi i humbjeve me 1.4% e impakton kompaninë me 1 miliardë lekë. Për të mos harrur e dhe ndryshimin e strukturës së konsumit. Ne kemi konsumin familjar që në 2014 zuri rreth 54%, pjesa tjetër është konsum i biznesit. Por 54% që tarifohet me me 9.5 lekë është tarifë e subvencionuar që do të thotë se kompania del me humbje. Por gjatë kohës së pandemisë u rrit konsumi familjar, çka impaktoj të ardhurat e kompanisë me 950 milionë lekë. Ndaj BERZH duke parë situatën ndërhyri për të ndihmuar kompani dhe për të mbështetur investimin në NST e Tiranës” tha Çela.