BBC interviston bankierë nga vende të ndryshme të Europës
Nëse Greqia largohet nga euro, inflacioni dhe papunësia ka shumë gjasa që do të rriten. Politikanët në Athinë nuk po e qeverisin dot vendin. Ka elementë shumë të fuqishëm që nuk e dëshirojnë marrëveshjen e kursim/shpëtimit që i është imponuar Greqisë nga kreditorët ndërkombëtarë.
Por në rast se Greqia nuk arrin të plotësojë kërkesat e BE-së dhe FMN-së, atëhere ata do të ndërpresin linjën e fundit të kreditit për këtë vend. Pa ndihma, Greqia nuk do të jetë në gjendje të paguajë faturat e veta dhe do të detyrohet të dalë nga eurozona.
Më poshtë po japim komentet e disa ekspertëve mbi çfarë mund të ndodhë në rast se Greqia largohet nga euro.
Carsten Brzeski, kryeekonomist në ING Belgium
Kaos. Bankat greke do të falimentojnë, kompanitë greke gjithashtu. Papunësia do të rrite. Dhrahmija e re do të humbasë shumë nga vlera e vet. Çmimet e ushqimeve dhe të energjisë do të ngjiten në tavan. Do të jetë një koktej shpërthyes. Trazirat do të rëndohen. Pritshmëritë për të gjithë eurozonën do të përkeqësohen.
Michael Arghyrou, profesor i ekonomisë, Cardiff Business School
Dhrahmia e re do të zhvlerësohet me sëpaku 50 për qind duke shkaktuar inflacion. Normat e interesit do të dyfishohen dhe të gjitha kreditë me kolateral, kreditë e biznesit e mënyra të tjera huamarrjeje do të bëhen shumë më të shtrenjta. Nuk do të ketë kredi për bankat apo qeverinë greke. Kjo do të sjellë mungesë të mallrave bazë si naftë, ilaçe apo edhe ushqime. Shumë firma greke bazohen te furnitorë të huaj, të cilët mund të ndërpresin marrëdhëniet tregtare. Kompanitë greke mund të dalin nga biznesi. Greqia do të humbasë të vetmen pikë reference që ka për stabilitetin, pra faktin që është një vend në eurozonë. Ky vend mund të përballet me një periudhë të trazuar. Do të ketë dobësi institucionale. Në rastin më të keq, mund të ketë rrëzim të plotë shoqëror dhe ekonomik që ndoshta do të sjellë një regjim totalitar.
Sony Kapoor, menaxher i institutit kërkimor Re-Define
Mendoj se kushdo mes udhëheqësve grekë apo europianë flet pa teklif mbi mundësinë e daljes së Greqisë nga euro, tregohet shumë, shumë i papërgjegjshëm. Kostoja totale në raport me përfitimet mbetet masivisht negative, si për eurozonën ashtu edhe për Greqinë. Me një goditje, dalja e Greqisë do të sjellë shkatërrimin e punës së mirë që është bërë në Irlandë dhe Portugali. Nëse je një portugez me ca kursime në bankë, edhe në rast se probabiliteti është shumë i vogël, është normale që do t’i lëvizësh kursimet në një vend më të sigurtë si Hollanda apo Gjermania. Do të ketë një largim masiv të depozitave nga vendet e periferisë. Kjo do të rëndojë te investimet dhe te ekonomia reale sepse korporatat do të refuzojnë të investojnë.
Megan Greene, Qendra Ekonomike Roubini
Do të shohim një ortek bankash që falimentojnë në Greqi dhe çdokush do të tërheqë paratë nga bankat e Portugalisë e Spanjës. Një pjesë e madhe e parave do të dalë nga Banka Qëndrore Europiane në operacionet e likuiditetit. BQE e ka bërë këtë gjë shumë herë dhe mund ta bëjë sërish. Por kjo nuk do ta ndalojë infektimin politik apo rebelimin. Ne kemi parë katër zgjedhje në dy javë. Në Greqi, Francë, Itali dhe Gjermani, votuesit kanë zgjedhur kundër masave të kursimit. Gjithsesi, Greqia është një vend i vogël dhe pjesa tjetër e eurozonës ka ofruar ndihmë për të tashmë prej shumë kohësh. Eurozona mund t’i mbijetojë daljes së Greqisë. Në varësi të koreografisë, dalja mund të jetë më e mirë për të gjithë në rast se kryhet në mënyrë të koordinuar dhe të rregullt. Por nëse bëhet në mënyrë të njëanshme, dalja do të jetë opsioni më i keq për Greqinë.
Jan Randolph, analisti për rrezikun sovran, IHS Global Insight
Ajo çfarë të gjithë po humbasin, është një mundësi e tretë. Nëse krediti ndalohet nga BE-ja dhe FMN-ja, atëhere Greqia bëhet një ekonomi e bazuar te paraja fizike. Kjo do të thotë se qeveria mund të paguajë aq para sa mbledh. Atëhere qeveria nuk paguan 10-15 për qind të të gjitha pagave të sektorit publik dhe papunësia rritet në 20 apo 30 për qind. Por Greqia mund të vijojë të përdorë euron. Do të jetë e vështirë për BQE-në të mbajë bankat në punë. Sistemi bankar në Greqi do të rrëzohet gjithashtu. Kjo do të sjellë më shumë papunësi. Ajo çfarë do të ndodhë më tutje do të jetë një pyetje politike. Vendet Europiane ka shumë gjasa që nuk do të lejojnë një vend perëndimor të zhytet në kaos dhe kolaps. BE-ja dhe FMN-ja ka shumë gjasa që do të ofrojnë ndihma. Por Greqia mund të vijojë të përdorë euron. 15 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)