Ditën e sotme në kryeqytet është duke u  zhvilluar konferenca “Tregu dhe Infrastruktura Energjetike drejt Integrimit”, ku pritet të bëhet miratimi i paketës së tretë të energjisë.


I pranishëm në këtë konference ka qenë edhe ambasadori i BE në vendin tonë, Etore Sequi i cili e ka vlerësuar këtë moment si një hap të rëndësishëm për ecjen përpara të vendit tonë në përputhje me rregullat e reja të Komitetit të Energjisë, të cilat sipas Sequi, janë të rëndësishme për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe konsumatorëve.


Nga ana e tij, kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria do të bëjë të pamundurën që të shndërrohet  në një superfuqi të vogël rajonale të energjisë dhe se kjo do të jetë perspektiva kryesore e zhvillimit të vendit. Berisha theksoi se vendi ynë ka potenciale të mëdha në fushën e energjisë për shkak të numrit të madh të HEC që po ndërtohen, ndërkohë që premtoi se brenda pak kohësh Shqipëria do të shndërrohet në një nga eksportueset kryesore të energjisë në rajon.


Miratimi i paketës së tretë energjetike sipas kryeministrit, është një kusht i rëndësishëm për të mundësuar konkurrencën e ndershme, mbrojtjen e  konsumatorit dhe decentralizimin e tregut.


“Mbrojta më e mirë e konsumatorit është liberalizimi maksimal i tregut dhe ndezja e konkurrencës së lirë. Ne jemi të vendosur të adoptojmë çdo rregull që tregu energjetik në Shqipëri të jetë një segment i tregut europian dhe ndoshta segmenti më i hapur i tij”, – u shpreh kryeministri Berisha.


29 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)