Euro u shkëmbye sot për 1.2165 dollarë, kuota më e ulët e regjistruar në dy vjet, njofton agjencia Reuters. Euro ka qenë në rënie të konsiderueshme gjatë muajit të fundit, nga kuota 1.31 USD në vetëm 1.21 për shkak të krizës në Eurozonë, e acaruar me zgjedhjet e përsëritura në Greqi dhe me pasigurinë e udhëheqësve Europianë për të marrë vendime të forta. Dje, Rezervat Federale në SHBA bënë të ditur se nuk kishin ndër mend të hynin në një fazë të re të “lehtësimit sasior”, termi modern i përdorur për printimin dhe hedhjen në treg të më shumë dollarëve.
Ndërkohë, javën e kaluar Banka Qëndrore Europiane uli më tej normën e vet bazë të interesit ku depozitat përgjatë të gjithë natës pranohen përkundrejt interesit zero. Bondet e Gjermanisë janë shitur për interes negativ prej -0.03 për qind, gjë që nënkupton që për herë të parë në histori, investitorët janë të gatshëm të paguajnë interesa vetëm që paratë e tyre të jenë të sigurta.
Por kjo gjë solli edhe shumë shitje të euros për monedha të tjera ndërkombëtare dhe rënie të vlerës së monedhës së përbashkët.
Në Tiranë, euro ka rënë në 136.96 lekë, një kuotë e paparë prej shumë muajsh ndërsa dollari është ngjitur në kuotën 112.05 lekë, gjithashtu e paparë prej shumë vitesh.
Ekspertët mendojnë se euro do të vijojë të dobësohet në tregun ndërkombëtar kundrejt dollarit dhe monedhave të tjera të rëndësishme.
E njëjta gjë mund të ndodhë edhe kundrejt lekut, por gjatë muajve të fundit, rënia e euros në tregun ndërkombëtar është pasqyruar më së shumti në rritjen e vlerës së dollarit kundrejt lekut dhe jo në rënien e euros kundrejt lekut.
Që kur doli për herë të parë si monedhë në vitin 1999, euro është luhatur kundrejt dollarit nga 0.83 USD në më shumë se 1.61 USD. Kundrejt lekut, euro u kuotua fillimisht në rreth 170 lekë në kohën kur nuk qe ende monedhë fizike dhe ka rënë në pikën më të ulët rreth kuotës 122 lekë.