Situata


Mungesa e likuiditetit dhe shtrëngimi i kushteve nga bankat rikthen fenomenin e trazirave 


Interesi vjetor i fajdeve është më i leverdishëm se ai i bankave, që japin hua me 9-12%


ARD KOLA


Banka e ShqiperiseËshtë çështje besimi, miku dhe trimi. Asgjë nuk është e shkruar, por respektohet mbi paktet e besës. “Është më kollaj të marr borxh tek miqtë se sa te bankat”, thotë një ndërtues. Sistemi bankar ndjek procedura të forta, nisur nga kushtet e krizës, kurse shteti vonon likuidimin e faturave për privatin. Mungesa e likuiditetit ka detyruar biznesin t’i drejtohet zakonit të vjetër, në epokën kur nuk ekzistonin bankat. Në fillim ishte kleringu, kur në vend të parave për shërbimin dhe mallin e ofruar, subjekti merrte në këmbim një tjetër mall, ekuivalent me detyrimin. Pronari i një aktiviteti të “duralumineve” në Tiranë është bërë në tre muajt e fundit dhe pronar i tre makinave të luksit, i dy apartamenteve, njëri në plazh dhe i një dyqani. Këto “të mira” i ka marrë në këmbim të parave që duhet të përfitonte nga shërbimi. Në oborrin e punishtes qëndron hijerëndë një Benz tip i fundit, i pluhurosur dhe ku pronarit (quajini si ta doni, me fat-pa fat), jo vetëm që nuk i hyn në punë, por i zë edhe hapësirën. Me nga dy makina është bërë edhe njëri që punon drurin, me aktivitet mobilierie…dhe kështu me radhë. Para nuk ka, por të jepet në këmbim një tjetër mall apo pronë.


Nëse kleringu mund të kapërdihet (fundja nuk është se del pa gjë), një tjetër fenomen më shumë i rrezikshëm është ai i fajdeve, i cili është rikthyer fuqishëm pas 15 vjetësh nga trazirat e ‘97-s. Në ato kohë, firmat piramidale jepnin hua me interes 8-10 për qind. Aktiviteti i tyre u shemb, duke zhytur në borxhe me mijëra vetë, solli revolta dhe ndryshimin e sistemit.


Aktualisht në treg gjen hua me fajde, interesi i të cilave është mesatarisht 5 për qind në bazë vjetore. Nuk ka asgjë të shkruar, pra pa noter apo jurist, thjesht me dëshmitarë apo miq.


Biznesit e nevojiten paratë për të qarkulluar mallin apo për të investuar me shpresën e rritjes së fitimit, por ku bankat dhe shteti nuk u përgjigjen, janë të detyruar për t’iu drejtuar tregut informal.


Kush merr hua me fajde? “Kryesisht marrin hua ata individë që presin të marrin diku tjetër, si p.sh. te qeveria, pasi u detyrohet për punët e papaguara. E kanë të sigurt që qeveria një ditë do t’ua shlyejë faturat dhe ndaj u drejtohen “miqve” për të marrë hua. Një tjetri p.sh., nuk i pret puna, pasi banka e kërcënon se do t’i marrë aktivitetin në rast nuk kthen kredinë në kohë dhe i drejtohet sërish marrjes hua me fajde te një tjetër i njohur”, thotë një ndërtues i rëndësishëm në Tiranë, që punon prej 15 vitesh. Interesi vjetor është 5 për qind, tepër i leverdishëm në raport me sa e japin bankat, me afro 9-12 për qind.


Po kush jep fajde? Është pyetje e shtyrë më tepër nga kureshtja për të mësuar se cili jep hua kur të gjithë ankohen për krizën dhe se mungon likuiditeti. Edhe këtu marrim përgjigje interesante. “Japin hua me fajde ata biznesmenë të cilëve u ka ecur puna për shkak të njohjeve me pushtetin. Qeveria jo të gjithëve u ka mbajtur paratë, një pjesë, ata më të fortët dhe me miq të ngushtë, kanë mundur t’i marrin paratë për punët publike të realizuar. Gjithashtu japin hua edhe persona nga bota e politikës, politikanë që me anë të korrupsionit kanë krijuar të ardhura dhe nuk kanë për momentin se ku t’i çojnë. Te kjo kategori gjen më lehtë hua, për shkak se janë para të përfituara nga korrupsioni dhe nderet, janë pronarë objektesh pa qenë nevoja të investojnë”, thotë një tjetër biznesmen.


Sakaq, pas vrojtimit të realizuar nga Banka e Shqipërisë rezulton se “standardet e kredisë dhënë bizneseve pritet të shtrëngohen më tej, sipas qëllimit të përdorimit dhe sipas madhësisë së bizneseve në tremujorin e parë të viti 2013. Standardet e kredisë dhënë individëve pritet të lehtësohen, si për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore. Kërkesa e bizneseve për kredi pritet të ulet pak, ndërsa kërkesa e individëve për kredi pritet të përmirësohet lehtë në tremujorin e parë të vitit 2013”.


 


Raporti


Ritmi i rritjes së kredisë, 5 herë më i ulët


Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në nëntor, kredia për ekonominë arriti në 554.4 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej gati 0.4% në raport me një muaj më parë. Arsyeja kryesore e kësaj performance ka ardhur nga rritja e huasë për korporatat jofinanciare publike, me rreth 3.7 miliardë lekë, që lidhet kryesisht me kredinë dhënë për KESH-in për blerje energjie, me garanci shtetërore, pasi operatori i shpërndarjes CEZ dështoi që të blejë energji dhe është në një konflikt të hapur me qeverinë.


Për periudhën janar-nëntor 2012, huaja për ekonominë është rritur me një vlerë minimale prej rreth 12 miliardë lekësh në raport me dhjetorin 2011, apo me gati 2.3%.


Në raport me periudhat përkatëse të një viti më parë, ritmet e rritjes së kredisë për 11-mujorin 2012 janë gati pesë herë më të ulëta. Për periudhën janar-tetor 2011, huaja për ekonominë u zgjerua me rreth 50 miliardë lekë.


Parashikimet e bankierëve në fillim të këtij viti ishin se ritmet e zgjerimit të kredisë do të përgjysmoheshin në raport me 2011-n, por teksa viti po mbaron, po rezulton se ritmet e rritjes së huasë janë më të ulëtat e dekadës së fundit.


 


 


Pse ra kredia


– ngadalësimi i ritmeve të rritjes së ekonomisë (nga 3% në 2011 në maksimumi 1% e pritshme për këtë vit);


-frenimi i investimeve nga bizneset, si rrjedhojë dhe ulja e kërkesës së tyre për kredi;


-stepja e bankave, si rrjedhojë e shtimit të pasigurive për ecurinë e ekonomisë në vend, në një kohë që ekonomia europiane ka hyrë në recession


-rritja e kredive të këqija në banka (22.8% në fund të tetorit 2012) dhe problemet që po hasin institucionet financiare me ekzekutimin e kolateralit, janë një tjetër arsye që i kanë shtyrë bankat të frenojnë huadhënien për ekonominë