Kryeministri premton tjetër rritje, por skema e subvencionimit gërryen buxhetin e shtetit


Mesatarisht, buxheti i shtetit nxjerr nga arka 30 miliardë lekë për të mbështetur skemën e pensioneve


ARD KOLA


Të ardhurat nga kontributet për këtë vit, pra ato të pritshmet, do të rriten vetëm me 2 miliardë lekë më shumë në raport me vitin 2011, ndërsa shpenzimet po për sigurimin social (pensionet), do të rriten me rreth 4 miliardë lekë. Pra, mjafton të shikosh këtë raport, me diferencë negative 2 miliardë lekë, për të kuptuar ngërçin me skemën e pensioneve.


Sipas ecurisë, për vitin e ardhshëm, atë të 2013-s, që është edhe periudha e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, fatura në total e pensioneve pritet të arrijë në rreth 94 miliardë lekë, pra afër 1 miliard dollar, rekord ky negative dhe i rrezikshëm për financat e vendit.


Mesatarisht, nga arka e shtetit dalin çdo vit nga 30 miliardë lekë, ndërsa veçanërisht për vitin tjetër subvencionimi do të arrijë në rreth 34 miliardë lekë. Gropa e pensioneve sa vjen dhe thellohet, ndërsa qeveria shqiptare për më shumë se katër vjet mundohet të hartojë një skemë të re pensionesh, por nuk ia del dot, për shkak të mungesës së konsensusit me opozitën (reforma prek breza të tërë dhe shtrihet deri në 50 vjet).


Pavarësisht rekomandimeve të fondit monetar ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, për kujdes me rritjen e masës së pensioneve, qeveria shqiptare, d.m.th. Kryeministri Sali Berisha, do të vijojnë sërish politikën e zgjerimit të shpenzimeve. Për vitin 2013, Kryeministri ka premtuar një rritje të pensioneve me të paktën dyfishin e indeksit të inflacionit, pra me përafërsisht 5-6 për qind, diçka më shumë se viti 2012. Faturat janë parashikuar në buxhetin e 2013-s dhe konsiderohen të larta, vetëm për faktin se nga tatimet mblidhen më pak të ardhura nga kontributet, masa e së cilës është rreth 25 për qind.


Të ardhurat në fondet speciale për periudhën janar-shtator 2012 arritën në 42.7 miliardë lekë, me një rritje prej 2.7 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe -1.9 për qind më pak se parashikimi sipas buxhetit të rishikuar. Nga totali i fondeve speciale, 41.7 miliardë lekë janë kontribute të sigurimeve shoqërore (pensionet) e shëndetësore dhe 1 miliard lekë të ardhura për kompensimin në vlerë të pronarëve. Nga sigurimet shoqërore janë mbledhur 36.2 miliardë lekë, me rritje vjetore 1.3 për qind, thotë Ministria e Financave. Pra, rritja konsiderohet e ulët dhe jo në përputhje me politikat për stimulimin e pagesës së kontributit apo të numrit në rritje të bizneseve të reja dhe të punësimit. E thënë ndryshe, ky sektor operon kryesisht në të “zezë”, ndaj dhe shteti po vuan pasojat, por ama nuk e ndal rritjen e pensioneve përtej normës së inflacionit, kurse subvencionimi (nga paratë e taksapaguesve shqiptarë) zgjerohet. Krahasuar me një vit më parë, shpenzimet për sigurimet shoqërore rezultojnë rreth 3.3 miliardë lekë më të larta ose rreth 8 për qind më shumë (9-mujori 2012).


Prej këtyre, të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të parashikuara për vitin 2012 janë në nivelin 59.4 miliardë lekë, ose rreth 4.4 për qind më shumë se i pritshmi për vitin 2012, duke arritur në 4.1 për qind të PBB-së. Në raport me PBB, të ardhurat kanë vijuar rënien, pasi tre vjet më parë ishin 4.5 për qind, kurse rajoni i ka të paktën dy apo tri herë më të larta. Parashikimi i të ardhurave nga kontributet për vitin 2013 bazohet në parashikimet për rritjen e aktivitetit ekonomik, të punësimit, të nivelit të pagave, si dhe në uljen e vazhdueshme të informalitetit në tregun e punës.