Biznese fason


Paga minimale


Për rritjen eventuale të pagës minimale, Ministria e Financave nuk ka një opinion, por premtoi se do të bashkëpunojë me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.


Faturimi i energjisë


Prodhuesit e veshjeve pretendojnë se çmimi i energjisë elektrike është rritur mbi 50%. Në takim u konkludua se duhet të kërkohet nga OSHEE që energjia të faturohet sipas nivelit të tensionit, sipas vendimit të Bordit të Komisionerëve të ERE-s.


Industria e fasonit


Rregullohen oraret në dogana, certifikatë “EURO 1” për produktet, ngrirje pagash minimale, faturime energjie sipas tensionit    


Zamir Alushi


Ministria e Financave miraton “Paketën për fasonët II”. Në takimin mes drejtorit të Përgjithshëm të Politikave Fiskale dhe Analizave në MF, Sajmir Laçej dhe anëtarëve të Bordit të Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve u trajtuan problemet e i) Orarit në dogana; ii) Ndryshimit të Ligjit të TVSH për nënkontraktorët; iii) Nevojës për të mos rritur pagën minimale në rang vendi që, sipas tyre, dëmton sipërmarrjet e regjimit të përpunimit aktiv; iv) Ndryshimit të skemës së nxitjes së punësimit pas ndryshimit të tatim-fitimit nga 10-15% dhe përdorimit të fondit të përfituar nga rritja e këtij tatimi në përfitim të të gjithë subjekteve kontribuuese dhe jo të përdorimit klientelist të këtij fondi; v) Zgjidhjes së problemit të rritjes së çmimit të energjisë nëpërmjet faturimit të subjekteve me çmimin sipas nivelit të tensionit të furnizuar dhe jo me çmimin maksimal të energjisë, sidomos kur vetë subjektet kanë bërë investime në furnizimin me energji elektrike.


Doganat


Në takimin mbi tri orësh, të bërë në këtë ministri, u vendos që Financat të marrin përsipër të zgjidhin në favor të biznesit problemin e orareve të eksportit në pikat e kalimit të kufirit. Nga ana e tij, Sajmir Laçej bëri të njohura disa nga produktet e fundit të Ministrisë së Financave që lidhen edhe me fazën e dytë të operacionit kundër informalitetit si: Sipërmarrjeve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e regjimit të përpunimit aktiv do t’u ofrohet zgjidhja (brenda datës 15 prill) për shqetësimin e ngritur lidhur me diferencën e peshës në rieksporte, duke sanksionuar që peshimi të mos jetë i detyrueshëm. Ai tha se po punohet që rieskportet të kufizohen nga rikontrolli në dogana dhe kjo të realizohet pranë subjekteve. Gjithashtu, është vendosur që grupet operativo-hetimore të Drejtorisë së Doganave të mos jenë pjesë e kontrollit doganor në territorin e doganave. Një lehtësi tjetër për kompanitë është që të mos angazhojnë agjencitë doganore, por të realizojnë vetë plotësimin e deklaratave doganore (online) për të eliminuar edhe kostot shtesë dhe gabimet e penalizueshme të vërejtura deri tani. Laçej tha se kompanitë eksportuese do të pajisen me autorizimin e eksportuesit të autorizuar dhe të shoqërojnë rieksportet me certifikatën “EURO 1”. Një pikë tjetër është ftesa për kompanitë që të aplikojnë për të marrë statusin e eksportuesit të miratuar për të përfituar të gjitha lehtësitë që njeh legjislacioni aktual doganor.


TVSH


TVSH për nënkontraktorët mbetet një çështje që duhet të adresohet në paketën e re fiskale, pasi kërkon ndryshimin e ligjit përkatës. Bordi kërkoi faturimin me TVSH zero për nënkontraktorët dhe u propozua një model i ri i faturës shoqëruese për nënkontraktorët, e cila ofron një kontroll më të lartë të transaksioneve mes kontraktorëve dhe nënkontraktorëve, si dhe minimizon abuzimet që mund të vihen re në përfitimin e padrejtë të TVSH-së. U kërkua të faturohet me TVSH zero vetëm TVSH-ja e hakut të punës, por jo ajo e shërbimeve. Ministria mori përsipër zgjidhjen e shpejtë, ndërsa sipërmarrësve iu kërkua të formulojnë në mënyrë specifike ndryshimin që duhet t’i bëhet nenit përkatës të ligjit “Për TVSH”-në.


Fondi i nxitjes së punësimit


Lidhur me programin e nxitjes së punësimit, që është premtuar pas rritjes së tatim-fitimit, u propozua dhe do të kërkohet që tatim-fitimi i paguar tepër të “rimbursohet” për subjektet sipas rritjes së xhiros. Programi i sotëm i nxitjes së punësimit u vlerësua si abuziv dhe korruptiv.


 


 


Paketa


Ja çfarë i ofrohet biznesit 


Ministria e Financave ka përgatitur një paketë mbështetëse në kuadër edhe të lehtësive administrative tatimore, në të cilën përfshihen krijimi i zyrave pilot për të realizuar deklarimin pa pagesë të tatimeve, shfuqizimi i kërkesave për vërtetime të ndryshme që rrisin koston e sipërmarrjes, zëvendësimi i detyrimeve shkresore me ato elektronike, komunikimi i biznesit me administratën nëpërmjet Avokatit të Tatimpaguesve dhe rritja e rolit të tij. Takimi erdhi pas letrës që Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve i ka dërguar javën e shkuar Kryeministrit Rama dhe ministrave Ahmetaj, Ekonomi dhe Klosi.