Merr hua 38 milionë euro nga BB, por nuk sqaron qëllimin. Debate në Kuvend. Kodheli: Turp


ARD KOLA


Ministria e Financave ka marrë kredi 38 milionë euro nga Banka Botërore, me interesa tregu, e cila do të shlyhet nga taksapaguesit shqiptarë dhe megjithatë, ka injoruar Komisionin Parlamentar të Ekonomisë të japë shpjegime se për çfarë do të përdoren paratë.


Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar disa muaj më parë që synon modernizimin e shërbimit social, për të cilën Banka Botërore ka pranuar të japë një kredi të konsiderueshme, ndërsa të hënën e kaluar, komisioni kishte si rregull ta shqyrtonte. Të ftuar ishin nga Ministria e Punës, zbatuese e projektit dhe Ministria e Financave, garantuesja e kredisë, për të cilën duhet të jepte llogari para komisionit se me çfarë kushtesh u mor kredia, si u negociua, sa ndikon në nivelin e përgjithshëm të borxhit, etj. Këto pikëpyetje nuk morën përgjigje, pasi specialistja e Financave u largua pak para rifillimit të mbledhjes dhe thirrjet e kryetarit të komisionit për ta pasur të pranishme, ishin të kota.


Deputetët nisën t’i bënin pyetje specialistes së Ministrisë së Punës, por ajo e kishte të pamundur t’i përgjigjej çështjeve lidhur me borxhin. “Mund t’ju flas për projektin, por për huanë nuk kam asnjë informacion”, tha ajo. Në këtë pikë, deputetët kërkuan sqarime nga përfaqësuesja e Financave, por ishte e kotë pasi ishte larguar pa dhënë sqarime. Kaq ka mjaftuar dhe në komision është ndezur debati. Spaho u përpoq të qetësonte deputetët, duke u thënë se specialistja ishte e pranishme, por kur e kuptoi edhe ai vetë se kishte ikur, atëherë u vu në siklet.


“Jemi katandisur si mos më keq. Tashmë as specialistët e ministrive nuk na qasin më. Jo vetëm që nuk vijnë më ministra, zv.ministra apo sekretarë të përgjithshëm, por po na injorojnë edhe specialistët. Kryetar, merr masa”, iu drejtua zv.kryetarja e komisionit, Mimi Kodheli, Spahos.


“Mos bëni kështu. Për huanë është folur disa muaj më parë dhe nuk ka asgjë të pasqaruar nga ju”, ishte tentativa e Spahos për të zbutur reagimet. “Si mund të flasësh kështu, iu përgjigj Arben Malaj, po flasim për një kredi, jo pak, por 38 milionë euro, e cila përmban kushte tregu”.


Në ndihmë të Spahos vijnë edhe anëtarët demokratë të komisionit. Sipas tyre, huaja dhe marrëveshja është mbikëqyrur nga ekspertët e Bankës Botërore dhe nuk përbën shqetësim për ta diskutuar aq gjatë. Por Malaj insistonte në seriozitetin e marrëveshjes. “E vlerësoj kontributin e BB-së për ekonominë shqiptare, por nuk mund të themi apriori se çdo projekt i tyre rezulton i suksesshëm.


Sikur të mos mjaftonte ky debat, komisioni përballet me një tjetër situatë, pak a shumë të ngjashme. Pas përfundimit të diskutimeve dhe miratimit të paketës së financimit, vjen radha për shqyrtim i projektligjit “Për taksat kombëtare”, jo pak i rëndësishëm, pasi trajtonte tarifat që do të aplikohen për importin e mbetjeve dhe industrinë e riciklimit. Projektligjin kishte ardhur ta prezantonte një specialiste e re, shtatzënë. Opozita ishte përgatitur për debat, por uli “armët” pasi panë se më kë do të përballeshin. Në këtë pikë, komisioni ra dakord unanimisht të mos bënte pyetje dhe ta miratonte pa kundërshti projektligjin.


Ky nuk është rasti i parë që institucionet e shtetit përfaqësohen nga specialistë, të rinj me profesion, edhe kur diskutohen projektligje të rëndësishme. Kjo taktikë duket sa ka funksionuar, pasi opozita e ka pasur të vështirë të realizojë debatin dhe të marrë përgjigjet e duhura.


 


Malaj: Kredia, me interesa tregu


Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, ngriti shqetësimin se marrëveshja për modernizimin e shërbimit social shoqërohet me një kredi, e cila mbart kushte jo të buta. “Është e vërtetë që në 7 vitet e para nuk do të paguajmë asgjë, por duhet ta pranojmë se interesat janë të larta, në raport nga sa paguanim më parë”, tha Malaj. Deputeti i PS-së nuk ishte dakord që projektet me financimin e BB-së të kalojnë pa u shqyrtuar me kujdes. “Jo të gjitha projektet e BB kanë rezultuar të suksesshme, si ai i administratës publike apo ai i bregdetit të Jugut. Duhet të shikojmë se çfarë impakti jep projekti dhe a ia vlen të merren hua 38 milionë euro”, tha në fund Malaj.