Raporti
Ministri italian: Rritje e qëndrueshme me ritme të kënaqshme, priten rezultate më të mira me reformën në sistemin gjyqësor
Ekonomia shqiptare ka ruajtur ritme të larta, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2015 dhe kjo ka ardhur për shkak të reformave ekonomike të ndërmarra nga qeveria aktuale. Ky ka qenë qëndrimi i ministrit italian të Ekonomisë dhe Financave, Pier Carlo Padoan, i cili ka raportuar në emër të FMN-së për ecurinë e ekonomive të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Maltës, Portugalisë dhe San Marinos. Ai i bëri këto deklarata në takimin e 33-të të Komisionit Monetar dhe Financiar Ndërkombëtar pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar, mbajtur dje në Uashington.
Lidhur me ekonominë shqiptare, ai shtoi se ajo është rritur, duke pasqyruar një aktivitet më të lartë të investimeve dhe një bilanc të përmirësuar tregtar, ndërkohë që janë përmirësuar më tej treguesit e stabilitetit financiar. Rritja ekonomike ishte 2.6% në vitin e kaluar, duke shënuar për të dytin vit shpejtim të ritmeve të rritjes.
Treguesit kryesorë të kërkesës së brendshme luajtën një rol të rëndësishëm në tremujorin e parë të vitit 2016, megjithëse çmimet e ulëta të naftës po dëmtojnë eksportet shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë intensifikuar axhendën e tyre të reformave në mënyrë që të sigurohet një trajektore e qëndrueshme rritëse e ekonomisë.
Por, pavarësisht rritjes së vazhdueshme, në tregjet e punës dhe të kapitaleve mbizotërojnë ende mundësi të pashfrytëzuara, që rezultojnë në papunësi të lartë dhe presione të ulëta inflacioniste. Veçanërisht inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë subjekt i presioneve dezinflacioniste të ardhura nga ekonomia e jashtme. Por pritjet për inflacionin janë që ai të qëndrojë pak a shumë në kufijtë e synuar, angazhimi i autoriteteve drejt konsolidimit fiskal është i padiskutueshëm dhe borxhi publik mbetet brenda parametrave të programuara. Deficiti primar është ulur me 1.5 pikë përqindjeje në vitin 2015.
Rritja ekonomike pritet të përshpejtohet më tej në vitet në vazhdim, bazuar në një kërkesë më të madhe të brendshme, një përmirësim të pritshëm të mjedisit të jashtëm financiar dhe në pasojat e reformave strukturore të ndërmarra në mbështetje të biznesit.
Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë me përpjekjet e saj në drejtim të konsolidimit fiskal. Disa mosrealizime në të ardhurat gjatë gjysmës së dytë të vitit 2015 i shtynë autoritetet që të ulnin shpenzimet, në mënyrë që të mos prekeshin objektivat sa i takon deficitit.
Nismat për reforma fiskale synojnë të zgjerojnë bazën e taksueshme, si dhe të nxitin ndërmarrjen e vogël dhe të mesme private. Rreziqet e shpenzimeve që kanë ardhur nga sektori i energjetikës janë pakësuar më tej dhe nismat për të siguruar harmonizimin e taksave kanë sjellë rezultate pozitive fillestare në uljen e informalitetit në ekonomi.
Konsolidimi fiskal do të vijojë të synojë përmirësime të mëtejshme në kuadrin e administrimit të shpenzimeve publike.
Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në plotësimin e detyrës së saj ligjore, për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në terma afatmesëm. Politika monetare mendohet se do të jetë ekspansive në të ardhmen e afërt, nëpërmjet trajektores së pritshme që do t’u komunikohet rregullisht tregjeve nëpërmjet orientimeve. Sa i përket stabilitetit financiar, politikat makroekonomike të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë do të synojnë mbështetjen e një sistemi bankar elastik.
Masat e synuara makro të kujdesshme mundësuan një rënie në mbarë sistemin të kredive të këqija. Niveli i tyre ra në 18.2% në fund të vitit 2015, nga një rekord prej afro 25 përqindësh në shtator të vitit 2014. Kjo do të ndihmojë në uljen e riskut të kredisë në ekonomi dhe fuqizimin e ndërmjetësimit bankar. Sistemi bankar është elastik, i mirëkapitalizuar, me likuiditet të lartë dhe me institucione bankare që dalin me fitim.
Autoritetet shqiptare do të vazhdojnë të përqendrohen në zbatimin e reformave strukturore gjithëpërfshirëse, me synimin për të arritur potenciale më të mëdha rritjeje të ekonomisë dhe një rritje afatgjatë të qëndrueshme.
Reforma gjyqësore e autoriteteve, që synon një riorganizim të funksionimit të sistemit gjyqësor, është në fazat e fundit të negociatave mes faktorëve kryesorë.
Autoritetet shqiptare janë të vendosura të vazhdojnë politikat makroekonomike në përputhje me programin e mbështetur nga FMN dhe në mbështetje të një programi të rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përqendruar përpjekjet e tyre edhe në drejtim të procesit të integrimit europian.