Sipas marrëveshjes, më 15 shtator 2014, duhet të disbursoheshin 26 milionë euro


Termat – Shuma e huas 295,420,000 SDR. Norma e interesit është e lidhur me normën e interesit për SDR, që është 1.13%


Maturimi – Periudha e shlyerjes së huas dhënë nga FMN është 13 vjet dhe përfshin një grace-periode prej 4 vjetësh


Zamir Alushi 


FMN & CaniDuke zbritur shkallët e selisë së Bankës së Shqipërisë, Nadeem Ilahi, shefi i Misionit të FMN-së, premtoi para disa ditësh se do të mbante qëndrim zyrtar për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në konferencën përmbyllëse të bisedimeve me palën shqiptare. Në mënyrë të befasishme, premtimi nuk u mbajt, por u lëshua vetëm një deklaratë me pak rreshta, mesazhi i së cilës ishte shtyrja në një datë të pacaktuar. Kalendari i programit të disbursimit të kredisë parashikon datën 15 shtator, si kohën për kalimin e transhit të tretë të huas prej 23.55 milionë SDR, rreth 26 milionë euro (dy të tjerat janë marrë tashmë nga qeveria shqiptare). FMN duhet të kishte bërë publik rishikimin e kritereve të performancës deri në fund të qershorit, mbi bazën e të cilit, bordi i drejtorëve ekzekutivë të FMN-së në Uashington merr vendimin për të lëvruar këstin e radhës. Lënia përgjysmë e negociatave shtyn edhe pagesën e radhës të huas për qeverinë shqiptare.


Deklarata e FMN-së


Si asnjëherë tjetër, delegacioni i FMN-së u largua pa dhënë konferencën e përbashkët për shtyp me autoritetet shqiptare në ditën e fundit të qëndrimit. Në fillim u tha se kjo ndodhi për shkak të axhendës së ngjeshur. Dje, në një njoftim zyrtar për shtyp, FMN ka përcjellë telegrafisht lajmin se, ekipi i stafit të Fondit Monetar Ndërkombëtar do të kthehet më vonë. Delegacioni ishte në Tiranë gjatë periudhës 26 gusht deri më 9 shtator 2014, për të zhvilluar diskutime në kuadër të shqyrtimit të dytë në bazë të marrëveshjes për Fondin e Zgjeruar. Sipas deklaratës së FMN-së “Ekipi diskutoi një sërë çështjesh me autoritetet, përfshirë buxhetin e vitit 2015, reformat strukturore, si dhe qeverisjen e Bankës së Shqipërisë dhe kuadrin e politikave. Diskutimet dhe përfundimi i shqyrtimit do të vazhdojnë nga Uashingtoni dhe misioni do të kthehet për të përfunduar punën e tij në një datë të mëvonshme”, përfundon deklarata e FMN.


Kredia


Në fund të shkurtit 2014, FMN miratoi huan për Shqipërinë me vlerë prej 330 milionë eurosh (457 milionë dollarë) për të mbështetur reformat e qeverisë. Një shumë prej 26 milionë eurosh u lëvrua menjëherë. Bordi Ekzekutiv i FMN-së parashikonte se ekonomia për Shqipërinë, gjatë vitit 2014, pritet të përmirësohet si rezultat i pakësimit të planifikuar të rreziqeve fiskale, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe fillimit të reformave strukturore. Megjithatë, sipas njoftimit të FMN-së, në atë kohë, rreziqet janë të larta dhe nevojat për rifinancimin e borxhit të mëdha. Kjo marrëveshje do ta ndihmonte Shqipërinë të plotësonte detyrimet e saj të jashtme financiare, duke ofruar nga ana tjetër, mbështetjen e nevojshme për të forcuar politikat e brendshme fiskale. Sipas zyrtarit të lartë të FMN-së, ristrukturimi financiar duhet të synojë uljen e borxhit publik nën 60% të PPB. Arritja e këtij objektivi kërkon marrjen e masave të forta në politikën e taksave dhe atë të shpenzimeve.