Prokuroria: Nuk i kishim pamjet. Financat: Filmimet, shfaqje mediatike
Nëpërmjet një video të marrë nga kamerat e sigurisë së Drejtorisë së Tatimeve, të publikuar në një prej televizioneve në vend, zbardhen detaje të reja që tregojnë se çfarë ka ndodhur në këtë institucion disa ditë para se të konstatohej problemi në serverë.
Pamjet filmike tregojnë të gjitha lëvizjet që janë bërë në zyrën e serverëve të tatimeve në datat 15-17 nëntor të vitit 2013.
Në të shihet i dërguari i Ministrisë së Financave, Ermal Beqiri,
në zyrën e Drejtoreshës së Tatimeve, Briselda Shehaj, deputeti Spartak Braho, si dhe grupi i auditit. Duke iu referuar videos, ky i fundit duket se ka qëndruar 2 herë nga 12 orë në zyrën e serverëve. Problemi me të dhënat u konstatua më datë 21 nëntor të vitit 2013, ditë në të cilën drejtoresha e Tatimeve kallëzoi drejtorin e IT, Renald Rista për ndërhyrje në të dhëna, i cili në mbrëmje të po asaj dite u arrestua nga Policia e Tiranës bashkë me tre persona të tjerë, por pak ditë më pas u la i lirë nga gjykata. M 12 nëntor, Ministria e Financave dërgoi në Drejtorinë e Tatimeve një grup auditi për sistemin e IT, i cili kishte për qëllim kontrollin e funksionalitetit të infrastrukturës së sistemit të IT, të drejtën për akses dhe mirëmbajtjes së sistemit. Por, sipas dëshmive të Ristës, dhënë në Prokurorinë e Tiranës, grupi ka hyrë në ambientet e serverëve të IT, nga ku lind edhe debati mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes së grupit të auditit në serverë.
Financat
“Pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të shfaqura në një prej televizioneve shqiptare, nuk janë as më shumë e as më pak se sa vazhdimi i shfaqjes mediatike të nisur muaj më parë rreth kësaj çështjeje. Problematika shqetësuese e të dhënave në serverin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është konstatuar dhe bërë publike nga Drejtoria e DPT. Ka qenë pikërisht DPT, përmes drejtores, që këtë ndërhyrje flagrante e ka paditur në Prokurori”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave. Në të theksohet se kjo çështje është aktualisht nën hetim dhe se Ministria e Financave është në pritje të zbardhjes së plotë nga organet hetimore të problematikës së konstatuar.
“Ministria e Financave siguron të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjen private se problematika në fjalë nuk cenon aktivitetin e përditshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe as privatësinë e të dhënave në fjalë”, shpjegohet në reagimin zyrtar të Financave.
Prokuroria
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal për akuzën e ‘ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike’. Në kuadër të hetimeve për këtë procedim, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës po kryen verifikimet e nevojshme, si dhe ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës teknike, e cila ende është duke u zhvilluar nga ekspertë kompjuterikë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës.
Sipas tij, ky institucion është në dijeni të pamjeve filmike të shfaqura në një prej televizioneve shqiptare, ditën e mërkurë, ku shfaqen disa persona, anëtarë të grupit që po zhvillonin procedurën e auditit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe persona të tjerë.
“Ky material filmik, i cili nuk gjendet në dosjen hetimore, do t’i kërkohet zyrtarisht televizionit për t’ju vënë në dispozicion Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Ky vendim i prokurorisë së kryeqytetit është marrë pasi vlerësohet se materiali filmik mund t’i shërbejë hetimit. Ndër të tjera, nga kjo video do të punohet për të sqaruar rolin e secilit prej personave të shfaqur në të, në kuadër të procedimit penal të nisur tashmë”, sqarohet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës. Shpresa Mezini