Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani u ankua sot në Vienë ndaj disa rregullave të Bashkimit Europian mbi bilancet e bankave, të cilat kanë sjellë çrregullime në tregun e borxhit publik në Shqipëri dhe e kanë detyruar sakaq qeverinë të ndërmarrë fushatë reklame për të bindur shqiptarët të blejnë bono thesari jashtë ndërmjetësimit bankar.


Duke folur në një konferencë të zhvilluar me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Institutit Ekonomik të Vienës, një qendër e rëndësishme kërkimore për Europën Lindore, Fullani e konsideroi të padrejtë rregulloren e re të Autoritetit Bankar Europian, (EBA), një institucion i krijuar në vitin 2010.


“Si rezultat i interpretimit të rregullores së EBA-s, një nga bankat e huaja që operon në Shqipëri e uli ekspozimin ndaj borxhit të qeverisë shqiptare me 3 pikë përqindjeje të PBB-së brenda një periudhe tremujore. Këto veprime shkaktuan zhbalancime në nivelin e likuiditetit në tregun ndërbankar, të cilat nuk mund të zgjidheshin në një kohë të shpejtë për shkak të problemeve strukturore”, tha Fullani.


Rregullorja e re e EBA i kërkoi bankave me kapital nga Eurozona të ulin sasinë e borxheve publike në të gjitha vendet ku punojnë, për shkak se borxhet publike konsiderohen si të rrezikshme për shkak të krizës në Greqi.


“Këto zhbalancime u shoqëruan me rritje të normës së interesit për letrat e vlerë të borxhit të qeverisë, duke kufizuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare. Ulja e ekspozimit ndaj letrave me vlerë të borxhit të qeverisë nuk përkon me një rritje të ngjashme të ekspozimit ndaj kredisë për sektorin privat, duke kontribuar në një rritje më të ulët të kredisë”, vijoi Fullani.


Ndërkohë, në Tiranë, Ministria e Financave ka nisur një fushatë për t’i bindur shqiptarët të blejnë borxh publik drejtpërsëdrejti. Gjatë dekadës së fundit, ka patur shumë mbështetje nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë për bankat private duke i mundësuar këtyre të fundit të merrnin depozitat e shqiptarëve për t’i investuar në borxh publik. Për shumë ekspertë ekonomie, kjo krijoi disa banka parazite, të cilat fitonin shuma të majme nga një ndërmjetësim i thjeshtë dhe pa rrezik. Vetëm pasi bankat e huaja filluan të refuzojnë blerjen e borxhit publik nga janari i këtij viti, qeveria shqiptare vendosi t’u drejtohet shqiptarëve, të cilët qenë mbajtur larg tregut të bonove për shumë vite në favor të bankave. 12 Korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)