Vjenë
Guvernatori: Shtrëngimi do të ndikojë edhe mbi vetë asetet e bankave
Fullani u kërkon bankave me kapital të huaj të mos e shtrëngojnë më kreditimin. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, iu drejtua bankierëve dje, në Forumin Ekonomik të Vjenës. “Në sektorin financiar shqiptar veprojnë disa grupe bankare europiane. Rregullat mbikëqyrëse të BE-së dhe kërkesat për grupet financiare europiane në lidhje me rrezikun, së bashku me qasjen në të cilën ato zbatohen, po vendosin shtrëngesa domethënëse mbi ekonomitë tona dhe eficiensën e politikës monetare për të reaguar ndaj zhvillimeve ekonomike”, u shpreh Fullani. Të përballur me kërkesa të reja dhe të shtrënguara për kapital dhe për rrezikun, shpjegoi guvernatori Fullani, bankat po përpiqen të përmbushin detyrimin duke përshtatur planet e tyre të ardhshme për biznesin, si dhe përmasën dhe përbërjen e bilanceve të tyre në ekonomitë e rajonit tonë. “Këto rregullime më të shtrënguara që u miratuan nga Autoriteti Europian i Mbikëqyrjes dhe ai Bankar dhe që u zbatuan, për rrjedhojë, nga bankat mëma, janë shoqëruar tashmë me ulje të nivelit të kreditimit në ekonomi”, konstaton Fullani. Nga kërkimet tona, tha guvernatori, tregohet se shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit, për shkak të reformave ligjore që po ndërmerren, mund të sjellë një efekt të rëndësishëm, jo vetëm mbi aktivitetin ekonomik, por edhe mbi cilësinë e aseteve të bankave tregtare, në veçanti në situatën e kredive me probleme. “Përkeqësimi i aktivitetit ekonomik do të vijonte kryesisht në të njëjtën mënyrë, duke çuar në përkeqësimin e raportit të kredive me probleme, në fitime më të ulëta të bankave dhe kufizime më të mëdha të kapitalit, së bashku me rritje më të ngadaltë”, paralajmëroi Fullani.