Erion Braçe: Fullani, 1.5 milionë dollarë pa garë për rikonstruksionin e hotel “Dajtit”
Zbardhen dokumentet që tregojnë shpenzimet me procedura të veçanta prokurimi
Paga: Guvernatori ynë ka pagën e dytë më të lartë në botë, krahasuar me homologët e tij. I vetmi që ka një pagë më të lartë se Fullani, nisur nga të ardhurat e vendit, është guvernatori i Bankës së Britanisë së Madhe
Lehtësirat: Në deklaratën e pasurisë së tij, Ardian Fullani, përveç disa pasurive të konsiderueshme, deklaron se po vijon të shlyejë një
kredi të zbutur të marrë nga Banka e Shqipërisë, institucioni që drejton
Kandidaturat: Gjatë procesit të negociatave mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit të ri, emri i Ardian Fullanit u propozua nga mazhoranca për president, por nuk u pranua nga opozita
Fatjona Mejdini
Deputeti socialist, Erion Braçe, akuzoi dje guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, se i ka lejuar vetes të harxhojë 1.5 milionë dollarë për kthimin e hotel “Dajtit” në ambiente për Bankën e Shqipërisë. Përmes dokumenteve, Braçe theksoi se përveç faktit se hotel “Dajti” u ble në mënyrë të pajustifikuar me prokurim të drejtpërdrejtë nga Banka e Shqipërisë me vlerën 41.4 milionë dollarë, guvernatori Fullani vijoi të shpenzonte pa asnjë kriter për rikonstruktimin e godinës. Duke u bazuar në raportin financiar të Bankës së Shqipërisë, Braçe theksoi se përsëri me prokurim të drejtpërdrejtë dhe pa garë, Fullani ka harxhuar dhe 1.5 milionë dollarë, për përshtatjen e pjesshme të godinës dhe për projektin e zbatimit të përshtatjes së hotelit në një bankë. “Blerja e hotel ‘Dajtit’ atij nuk i mjaftoi, sepse nuk fitoi gjë. Menjëherë shpërthejnë shpenzimet e tjera, shtesë, dy vendime për para të tjera. Sipas të parit, Fullani miraton shpenzime për përshtatjen e pjesshme të hotelit në bankë, me vlerë prej 567 mijë dollarësh. Përsëri pa garë, por me procedurë të veçantë prokurimi. Sipas vendimit të dytë, Fullani ka miratuar shpenzime për projekt-zbatimin e përshtatjes së hotelit bankë ‘Dajti’ me një vlerë prej 1 milion dollarësh dhe ky pa garë, por me procedurë të veçantë prokurimi”, shpjegon Braçe situatën e këtyre dy fondeve të veçanta të përdorura nga buxheti i Bankës së Shqipërisë pa garë mes kompanive, të cilat kanë pasur interes për të marrë pjesë në rikonstruksionin e godinës. Por sipas deputetit socialist, Erion Braçe, skandali thellohet dhe më shumë në një kohë kur ndonëse kanë kaluar dy vite nga blerja e hotel “Dajtit”, Banka e Shqipërisë ende nuk ka arritur ta përfundojë rikonstruksionin. Sipas deputetit socialist, për shkak të vonesave, fatura financiare bëhet dhe më e madhe, në një kohë kur Banka e Shqipërisë paguan qira të majme për ta strehuar stafin e saj. “Dy vite pas blerjes së hotel ‘Dajtit’, ai është po ashtu, ndërkohë që Banka e Shqipërisë vijon të paguajë qira marramendëse për t’u strehuar. Dy vite pas blerjes së shtrenjtë, të paparashikuar, të panevojshme e të paarsyetuar të hotel ‘Dajtit’, Banka e Shqipërisë ka harxhuar edhe 1.500.000 dollarë për projektin dhe përshtatjen e pjesshme të tij”, deklaron Braçe, duke theksuar se në faturë pritet të futen dhe shpenzimet e rindërtimit. Deputeti socialist thekson faktin se paratë e Bankës së Shqipërisë po shkojnë vetëm për ndërtime, duke bërë që Fullani të krijojë një biznes personal me to. “Paratë e Bankës së Shqipërisë po bëhen tulla e llaç. Por ç’rëndësi ka, kështu fitohen para dhe ky është biznesi i guvernatorit Fullani”, del në konkluzion deputeti socialist. Prej ditësh, opozita në vend ka nisur një sulm të përditshëm në lidhje me shpenzimet marramendëse që sipas saj, kryhen në Bankën e Shqipërisë. Sipas opozitës këto shpenzime të larta nuk kryhen në vende të cilat kanë një ekonomi të konsoliduar dhe konsiderohen si të jashtëzakonshme për ekonominë e një vendi të vogël si Shqipëria. Opozita thekson dhe faktin se, pavarësisht se vendi është në krizë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk ngurron të shpenzojë për lukse të tij dhe të punonjësve.
Qiratë: BSH ka marrë me qindra ambiente me qira, me çmim të kripur, sikur të ishte zona e ish-Bllokut, pa garë
Qëndrimi: Opozita nuk kritikon vetëm kreun e BSH-së, por edhe Kryeministrin Berisha, i cili e përzgjodhi me mandat të dytë 7-vjeçar
Muzeu: Një tjetër shpenzim i Bankës së Shqipërisë lidhet me muzeun e bankës, për të cilën u hodhën 1.8 milionë dollarë
Kredia: Kush punon në Bankën e Shqipërisë ka të drejtën të aplikojë të marrë kredi nga vetë banka, me interes 0.5 për qind