Plani
Qeveria rrit dozën e shpenzimeve, 700 milionë dollarë. Kërcen deficiti
ARD KOLA
Motorët e fushatës elektorale po bëhen gati të ndizen. Aktualisht ministri i Financave, Ridvan Bode, po thur planet e ardhshme për shpenzimet në buxhet, kjo pjesë e rëndësishme do të jenë investimet publike. Sikurse e tregojnë shifrat, tradicionalisht qeveritë e kanë rritur dozën e shpenzimeve në kohë fushatash, por sipas analistëve të fushës, zgjedhjet e vitit 2013 konsiderohen të rëndësishme, madje sipas raporteve të ndërkombëtarëve, “të egra”.
Sakaq, këtë javë Kryeministri Berisha është treguar aktiv në inaugurimin e disa shkollave 9-vjeçare në rajone të ndryshme të vendit, duke mos kursyer kritika dhe akuza ndaj liderit të opozitës, madje në sy të fëmijëve. Pra, fushata ka nisur, gjithashtu edhe hartimi i planeve për sasitë e parave që do të hidhen në qarkullim për punë të ndryshme.
Gazeta “Shqip” mëson planin paraprak të Ministrisë së Financave për projektbuxhetin e vitit 2013, i cili parashikohet të jetë 421 miliardë lekë, rreth 23 miliardë lekë më shumë, ose gati 5 për qind më tepër. Sa u takon investimeve publike, zëri më i rëndësishëm në buxhet dhe promovon rritjen ekonomike në vend, ato parashikohen të jenë 72.2 miliardë lekë, ose 3 miliardë lekë më shumë se ky vit, gjithnjë duke i qëndruar planit paraprak të menaxhimit të fondeve.
Ajo që bie në sy është fakti se gati 70 për qind e këtij fondi për investime do të sigurohet nga bankat e huaja dhe institucionet donatore financiare, pra do të realizohen duke marrë borxh. Pra, e thënë ndryshe, afro 50.6 miliardë lekë (500 milionë dollarë) do të jenë investime publike nga burime të huaja. Këto shifra do të jenë edhe nën fokusin e FMN-së, e cila prej disa ditësh ndodhet në Tiranë për diskutimet mbi situatën ekonomike në vend.
Në vitin 2009, periudha kur PD-ja mori mandatin e dytë qeverisës, mazhoranca shpenzoi për investime rreth 1 miliard dollarë, ndërsa deficiti buxhetor preku rekordin e 800 milionë dollarëve (80.8 miliardë lekë), ose sa gati 7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për vitin 2013, deficiti parashikon të arrijë në rreth 43 miliardë lekë, afro 2 miliardë më shumë se ky vit, duke i qëndruar planit të deficitit me 3 për qind të PBB-së.
Të tilla skenarë shpenzimesh rrezikojnë nivelin e borxhit publik. Financat janë treguar të kujdesshme për ta mos e kaluar kufirin 60 për qind, duke qëndruar te 59.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas planeve paraprake, borxhi publik në 2013-n do të arrijë në 875 miliardë lekë, pra me rritje gati 50 miliardë lekë (aq sa do merret nga bankat e huaja për investimet publike).
Megjithatë, deri në miratimin final të planit, Ministria e Financave duhet të presë edhe dy muajt e tjerë në vijim, tetorin dhe nëntorin, për të analizuar më konkretisht skenarët e shpenzimeve të fushatës me investime.
Të dhënat e deritanishme (janar-gusht 2012), tregojnë se qeveria po vihet në vështirësi për të mbajtur treguesit e buxhetit brenda kufijve ligjorë të vendosur nga Parlamenti. Në këtë periudhë të vitit, pra në tetë muaj, Ministria e Financave ka ezauruar të gjithë kufirin vjetor të huamarrjes së brendshme, pasi ka marrë në tregun bankar vendas dhe individët rreth 18.45 miliardë lekë borxh, ose 99.67 për qind të gjithë planit vjetor. Në total, kufiri i borxhit të ri që mund të marrë qeveria përgjatë vitit 2012 është 41.1 miliardë lekë, por pjesa tjetër është huamarrje e jashtme, e përcaktuar me ligj vetëm për financimin e projekteve të huaja kryesisht nga donatorët dhe bankat e zhvillimit.
Rritja e borxhit vjen si ndikimin i përkeqësimit të të ardhurave. Në tetë muajt e parë të vitit, plani fillestar i të ardhurave në buxhet është rrëzuar me mbi 12.1 miliardë lekë ose 12 milionë USD. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë periudhës janar – gusht, qeveria ka mbledhur në buxhet rreth 218.8 miliardë lekë nga 230.9 miliardë që ishte parashikuar. Shifrat tregojnë se ky mosrealizim vjen në pjesën dërrmuese nga të ardhurat tatimore, deficiti i të cilave për këtë periudhë është 10.8 miliardë lekë. Por teksa të ardhurat janë dukshëm nën planin, kjo nuk ndodh me shpenzimet. Për 8-mujorin shpenzimet e përgjithshme të qeverisë ishin 241 miliardë lekë, vetëm 3.3 miliardë më pak se parashikimi.
Të tillë skenarë rrezikojnë nivelin e borxhit, pasi e çojnë në kuotën 0.5 pikë përqindje larg riskut
Bilanci
-17%
Kapitalet
Deri në muajin gusht, investimet kapitale janë reduktuar me gati 17 për qind, në raport me vitin e kaluar, ose 7 miliardë lekë më pak
-6%
Taksat
Gjithnjë për të njëjtën periudhë, të ardhurat tatimore rezultuan 6 për qind më pak se plani, ose 10 miliardë lekë minus në arkën e shtetit
+99%
Borxhi
Financat kanë marrë në tregun bankar vendas dhe individët rreth 18.45 miliardë lekë borxh, ose 99.67 për qind të gjithë planit vjetor
Plani
Ndërtuesit, frikë për shtimin e borxheve nga punët veresie
Duhet thënë se çdo fillimviti qeveria e nis me bujë të madhe zbatimin e buxhetit dhe programin për investime të shumta në çdo sektor. Megjithatë, në tre vitet e fundit, përfshi edhe aktualin, për shkak të krizës në ekonomi dhe mosrealizimit të planit të të ardhurave, Ministria e Financave është detyruar të rishikojë buxhetin, duke mos kursyer edhe investimet publike. Në vitin 2010, qeveria shkurtoi 40 miliardë lekë shpenzime, ku gati gjysma ishin investime. Në vitin 2011, në mesin e vitit hoqi 28 miliardë lekë shpenzime nga buxheti, ku rreth 16 miliardë u takonin investimeve, kurse këtë vit plani për reduktim buxheti arrin në 12 miliardë lekë, ku 6 miliardë janë investime. Të gjithë këto manovra nuk kanë sjellë gjë tjetër vetëm vonesa në realizmin e punimeve për shkak të bllokimit të parave. Firmat ankohen se duke nisur nga fushata e vitit 2009, një pjesë e punëve në infrastrukturë janë ndërtuar me para të premtuara, mjafton të kapej afati për inaugurimin. Zyrtarisht, Ministria e Financave thotë se janë rreth 13 miliardë lekë borxhe që shteti u ka kompanive të ndërtimit, numri i të cilave arrin në mbi 50. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, disa kompani thonë se, zgjedhjet e ardhshme në qershor 2013 do t’i vendosin në të tjera vështirësi, duke akumuluar borxhe të tjera, pasi qeveria do t’u kërkojë favore për punë me ritme të shpejta, kurse për lekët duhet të pritet edhe dy vjet të tjera.