Azerbajxhani do të vendosë për fatin e projektit, ku Shqipëria luan rol të rëndësishëm
Konsorciumi që ka në pronësi vendburimin me gaz në Shah Deniz të Azerbajxhanit pritet të vendosë më 13 qershor se me cilin projekt gazsjellësi do të bashkëpunojë, TAP-in (Trans Adriatik Pipeline), i cili kalon përmes Shqipërisë, apo “Nabuccon”, që na anashkalon (Bullgari, Rumani…).
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shprehet optimiste se vendimi final do të jetë pro “projektit shqiptar”, nisur nga kriteri i vlerësimit, që bazohet mbi eficiencën ekonomike. “Jemi të bindur për faktin se pikët bazohen mbi kritere ekonomike, pra sa i vlefshëm dhe eficient është projekti dhe nuk varet nga politika ndaj së cilës me të drejtë opinioni i druhet”, shprehen burime zyrtare të METE. Presioni politik i vendeve europiane për dy projektet gazsjellëse ka qenë tepër i lartë, pasi bëhet fjalë për furnizim me gaz për një periudhë 20-25-vjeçare dhe ku i jepet njëfarë autonomie nga varësia e gazit rus.
Italia ka luajtur rol të rëndësishëm, po ashtu edhe Greqia, por nuk mund të mohohet “ndikimi” i Kryeministrit Berisha në qarqet azere, ku në vizitën e fundit në prill 2013, i kërkoi homologut Aliev mbështetje të drejtpërdrejtë.
Projekti nisi si aplikim zyrtar në shtator 2011, kurse në mars 2013 mori miratimin final të tre shteteve nga ku kalon gazsjellësi (Greqi, Shqipëri dhe Itali). Projekti do të lidhet me gazsjellësin turk TANAP (i cili është sakaq i ngritur) dhe më pas do të përshkojë Greqinë, duke nisur nga pika kufitare Kipoi, e më tutje në Shqipëri nga kufiri me Korçën, në detin Adriatik dhe në fund, në Italinë Jugore. Rajoni i Fierit mendohet të jetë kryqëzimi për degëzimin e gazsjellësit me vendet e rajonit, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia, të cilat kanë shprehur interes për t’u lidhur me rrjetin.
Përpara dorëzimit për aprovim nga qeveria shqiptare, TAP-i i ka shpërndarë dokumentin e tij të plotë të VNMS (ndikimi në mjedis) banorëve të rreth 83 komuniteteve në rajonet e Korçës, Skraparit, Beratit, Fierit, si dhe OJF-ve shqiptare. Gazsjellësi do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në sasi nga 10 deri në 20 miliardë metër kub në vit, ku 200 milionë llogariten për nevojat e tregut shqiptar. Pjesa e Shqipërisë ku do të shtrihet tubacioni TAP do të fillojë në Bilisht Qendër në rajonin e Korçës në kufirin shqiptaro-grek dhe do të shtrihet për rreth 209 kilometra deri në zonën bregdetare në veri të Fierit ku do të futet në Detin Adriatik. Pjesa detare shqiptare do të jetë 60 kilometra e gjatë, kurse i gjithë investimi vlerësohet në 1 miliard euro, kurse i gjithë projekti kushton mbi 20 miliardë euro.
ARD KOLA
Nyja
Miratimi i TAP i hap rrugë krijimit të një degëzimi me rajonin, ku Shqipëria do të jetë “furnizuesja” për disa shtete të Ballkanit
