veliaj gjermeniMinistria e Zhvillimit Urban organizoi sot në Tiranë, një takim me donatorë dhe përfaqësues të projekteve të huaja që operojnë në vendin tonë, me qëllim identifikimin e potencialeve për asistencë teknike dhe financiare për të ndihmuar bashkitë e krijuara mbas ndarjes së re territoriale për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore Territoriale.


Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku padyshim mbështetja dhe kontributi i donatorëve ka një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim.


Sipas saj, brenda këtij vitit 31 nga 61 bashki do të kenë planet e përgjithshme vendore.


“Qeveria e Shqipërisë aktualisht po financon hartimin e 26 Planeve të Përgjithshme Vendore, të cilat janë duke u zhvilluar”, theksoi Gjermeni. Ministrja tha  që deri më sot nuk janë identifikuar ende burime financimi për Planet e Përgjithshme Vendore për 30 bashkitë e tjera në Shqipëri.


I pranishëm në këtë takim ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili deklaroi se bashkitë duhet të bëjnë gjithçka për qytetarët. Ai përmendi edhe disa nga arritjet e institucionit që ai drejton.


“Sot shumë bashki  kanë kuptuar se ndërtimi dhe lejet zhvillimore janë një pjesë e rëndësishme. Bashkia e Tiranës ka bërë edhe dëgjesë publike për planet e Tiranës dhe do të vazhdojë ta bëjë.  Ky është një proces i gjatë dhe shumë bashki do të kenë nevojë për mbështetje financiare”, dekalroi Veliaj.


12 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)