Gjobat
Sanksionet duhet të aplikohen në mënyrë të drejtë, pa i trajtuar bizneset si ca të nënës dhe ca të njerkës
Kasat fiskale
Është më e udhës që biznesi të vazhdojë punën dhe të paguajë atë që duhet, sesa të mbyllë dyert e aktivitetit të tij
Drafti
Zyrtarisht, nuk kemi asnjë njoftim nga Ministria e Financave për këto ndryshime në projektin për procedurat tatimore
Paketa fiskale
Qeveria mund t’i realizojë të ardhurat buxhetore jo përmes rritjes së taksave, por zgjerimit të bazës së tatimpaguesve
Kreu ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë flet për aksionin kundër informalitetit, ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore, paketën fiskale 2016, situatën ekonomike etj
Të zgjerohet baza e tatimpaguesve dhe të ulen taksat. Kjo është kërkesa e Dhomës Amerikane të Tregtisë, që artikulohet nga drejtori ekzekutiv, Lorenc Gjoni. Ndërkohë, biznesi amerikan që vepron në Shqipëri shpreh mbështetje të fortë për qeverinë në aksionin kundër informalitetit. Lidhur me ashpërsimin e gjobave ndaj fshehjes së të ardhurave, Gjoni shprehet se duhet që dënimi të jetë në proporcion të drejtë me shkeljen.
A jeni njohur me ndryshimet e fundit të propozuara nga qeveria për ligjin e procedurave tatimore, për sanksionet e reja ndaj shkeljeve dhe kundërvajtjeve. Cili është mendimi juaj? A keni marrë reagime nga anëtarët e dhomës?
Me ndryshimet ligjore në Ligjin e Procedurave Tatimore jemi njohur nëpërmjet medias. Zyrtarisht, nuk kemi asnjë njoftim nga Ministria e Financave për këto ndryshime, për të cilat normalisht ne rezervojmë kohën e një diskutimi në nivel anëtarësh dhe më pas me grupin e ekspertëve. Deri më sot, ne nuk kemi ankesa formale të anëtarëve tanë në lidhje me këto ndryshime. Herë pas here, anëtarë të Dhomës kanë shprehur shqetësimet që masat administrative nuk duhet të jenë jashtë çdo proporcioni me shkeljen që dënojnë dhe nuk duhet të jenë të niveleve që u japin natyrë konfiskuese. Gjithashtu, sanksionet duhet të aplikohen në mënyrë të drejtë, pa i trajtuar bizneset si ca të nënës dhe ca të njerkës. Shpresojmë që këto ankesa të mëhershme të shmangen në këtë aksion që edhe informaliteti të ulet me sukses.
Është fakt se shumë biznese punojnë me bilance të dyfishta. Tani qeveria ka vendosur (me projektligjin e ri) të ndëshkojë edhe audituesit, nëse gjenden në shkelje. Nga sondazhet tuaja, si ju rezulton kjo dukuri, të paktën me anëtarët e Dhomës Amerikane?
Realisht, ne punojmë me një bazë komuniteti biznesi, i cili përderisa është bërë anëtar i Dhomës Amerikane ka treguar se respekton ligjin dhe transparencën. Si e tillë, ne nuk kemi raste për të gjykuar për biznese që po hasin problematika, sepse po u cenohet e drejta e mbajtjes së dy bilanceve dhe aq më pak mund të kemi ankesa për audituesit që i mbrojnë ata. Personalisht, mendoj se është mjaft e drejtë që nëse një biznes bën evazion dhe e fsheh nëpërmjet bilancit dhe një auditues e ndihmon në këtë proces, atëherë duhet të dënohen të dy.
Duket sikur me kasën dhe kuponin është gjetur tashmë çelësi i zgjidhjes së situatës për dy probleme. Sipas jush, a do ta ngushtojë hapësirën për informalitet vendosja e kasave fiskale? Së dyti, a do të mbushet boshllëku në të ardhurat e buxhetit?
Një nga kërkesat e para që i kemi dërguar qeverisë dhe Ministrisë së Financave gjatë këtyre dy vjetëve, ka qenë lufta kundër informalitetit. Kjo është dhe një nga çështjet themelore që kemi si organizatë në axhendën tonë të biznesit. Ne kemi argumentuar se duke luftuar informalitetin me një plan efikas masash, jo vetëm zgjeron bazën e tatueshme dhe lufton evazionin, por kjo e ndihmon qeverinë të realizojë të ardhurat dhe të krijojë një bazë të qëndrueshme në hartimin e politikave fiskale. Në këtë prizëm, barra fiskale nuk bie vetëm mbi bizneset e përgjegjshme, por shtrihet në një rang më të gjerë dhe kjo ndihmon që të merret në konsideratë një ulje e masës fiskale dhe jo rritje e saj. Sigurisht, ne mendojmë se masat që duhet të merren duhet t’i orientojnë bizneset drejt formalitetit dhe duhet t’i nxisin ata që të punojnë brenda kuadrit ligjor. Sigurisht që një aksion i tillë nuk duhet të konsiderohet si një represion ndaj biznesit, sepse është më e udhës që biznesi të vazhdojë punën dhe të paguajë atë që duhet, sesa të mbyllë dyert e aktivitetit të tij, sepse nuk arrin dot të paguajë një gjobë që është më e lartë se xhiroja e tij vjetore.
Ministria e Financave ka deklaruar një proces diskutimi me grupet e interesit për paketën fiskale 2016. Çfarë propozimesh ka bërë Dhoma Amerikane?
Ky proces ka filluar herët këtë vit. Ne kemi çuar që në prill kërkesat tona mbi Paketën Fiskale 2016, ku edhe këtë vit kemi kërkuar një ulje të masës së taksës mbi të ardhurat personale dhe dividentin, si dhe një ulje të masës së tatim-fitimit duke kërkuar, siç dhe e thashë më parë, që të ardhurat buxhetore qeveria mund t’i realizojë, jo nëpërmjet rritjes së taksave, por zgjerimit të bazës së tatimpaguesve. Ne vazhdojmë të kemi një diskutim të hapur me Ministrinë e Financave për sa i takon projektligjit të Tatimit mbi të Ardhurat Personale për të cilën ekspertët në AmCham (Dhoma Amerikane e Tregtisë) janë duke punuar dhe ne së shpejti do t’i bëjmë të njohura sugjerimet tona për këtë projektligj.
Aksioni kap një gamë të gjerë informalitetesh dhe pretendon se i kontrollon të tëra bizneset. Sipas jush, ku janë rezervat më të mëdha ku qeveria mund të hedhë sytë për të mbledhur më tepër të ardhura?
Kjo është një çështje për të cilën ne nuk kemi kompetencën të flasim, por strukturat administrative që merren me analizën e riskut mund të kuptojnë më qartë se cilët janë sektorët më problematikë dhe që kanë nevojë për kontrolle më të larta.
Bisedoi: Z.Alushi