Vendimi për ankesën e CEZ-it ndaj heqjes së licencës më 21 janar
Me vendimin e marrë, gjykata e çliron ERE-n nga akti për heqjen e licencës ndaj shoqërisë çeke
Akti – ERE ia ka hequr licencat CEZ më 21 janar dhe po në këtë datë emëroi administrator Sahit Dollapin, kurse padia është bërë pas kësaj date nga Marks, në emër të çekëve, por kjo nuk vlen
Gjykata e Tiranës ka kthyer mbrapsht kërkesë-padinë e kryer nga “CEZ Shpërndarje” në lidhje me heqjen e licencës që ERE vendosi më 21 janar 2013. Padia është nga Ronald Marks, administrator i CEZ-it, por në kohën kur ai e kishte paraqitur, ERE kishte caktuar administrator Sahit Dollapin, ndaj për gjykatën është e pavlefshme. Sipas trupit gjykues, padinë ndaj ERE-s për heqjen e licencës ka të drejtë të paraqesë vetëm Dollapi, si administratori i vetëm zyrtar i “CEZ Shpërndarje”, zgjedhur nga ERE.
Sipas ekstraktit të QKR-së, nga data 21.01.2013, përfaqësues ligjor i palës paditëse, CEZ Shpërndarje është Sahit Dollapi me cilësinë e administratorit të përkohshëm, si dhe Ronald Marx. Nga rubrika “kufizime të kompetencave” të ekstraktit rezulton se të gjitha funksionet dhe kompetencat e administrimit të shoqërisë i kanë kaluar administratorit të përkohshëm.
Nga kërkesë-padia rezulton se ky akt është përpiluar dhe nënshkruar nga përfaqësuesi me prokurë i shtetasit Ronald Marks, avokati Andi Mema, më 27 shkurt 2013 dhe gjithashtu akti i përfaqësimit është dhënë më 15 shkurt. “Në të dy rastet, këto akte janë përpiluar pas datës 21 janar, kohë në të cilën Ronald Marks nuk ka pasur asnjë tagër përfaqësimi dhe administrimi të palës paditëse, në emër të së cilës ai paraqet këtë padi në gjykatë”, deklaron gjykatësja Brunilda Kadi. Vendimi i Gjykatës së Tiranës është i 25 marsit 2013 dhe në këto kushte nuk ka asnjë shans që ERE të përballet me gjyqësorin për aq kohë sa në krye të CEZ të jetë Dollapi, i emëruar nga Enti dhe që përfaqëson interesat e shtetit shqiptar. Për çekët kjo ishte goditja e radhës dhe çuditërisht konfirmon mënyrën amatoreske se si kjo shoqëri ka vepruar në Shqipëri.
Tashmë qeveria dhe grupi çek CEZ është duke përpiluar rrugët ligjore drejt përballjes me Gjykatën e Arbitrazhit, por më parë palët do të shikojnë mundësinë e ndonjë pajtimi, për të sheshuar sadopak kostot financiare nga penalizmi.
A.Kola