Studimi i BSH
Notë negative për borxhin, deficitin buxhetor dhe të ardhurat
Zamir Alushi
Dy vitet e fundit, sipas Bankës së Shqipërisë (BSH), rreziqet po transferohen nga qeveria dhe agjentët e tjerë të ekonomisë te sistemi bankar. BSH paraqet një studim të quajtur “Harta e Stabilitetit Financiar për Shqipërinë”, ku 6 nga 8 kategoritë e rreziqeve vlerësohen me notë mbi mesataren (nivelet 0 deri në 10). Studimi veçon burimet kryesore të rreziqeve apo dobësive që vijnë nga sektori bankar dhe nga jashtë sektorit, të lidhura me zhvillimet e përgjithshme ekonomike dhe agjentët kryesorë të ekonomisë. Në këtë logjikë, janë përzgjedhur 8 kategori: 3 të lidhura me bankat (“kapitalizimi dhe përfitueshmëria e bankave”, “likuiditeti dhe financimi i bankave”; “struktura e sektorit bankar”) dhe 5 kategori jashtë sektorit bankar (“zhvillimet në ekonominë e brendshme”, “zhvillimet në mjedisin e jashtëm”, “individët”, “bizneset” dhe “qeveria”).
Ekonomia
Treguesit për kategoritë e “Ekonomisë së brendshme” dhe “Mjedisit të jashtëm” reflektojnë një nivel të ulët rreziku në periudhën para krizës financiare 2007-2008, me vlera nën nivelin mesatar. Në periudhën 2007-2008, treguesi i “Mjedisit të jashtëm” merr vlera rreziku mbi mesataren, kryesisht si rezultat i rritjes së presioneve në tregjet financiare. Vlerat e tij gjithashtu tentojnë të rriten gjatë vitit 2011, si pasojë e dy tronditjeve të tjera në mjedisin e jashtëm: kriza greke dhe kriza e borxhit në Eurozonë, ku kontributin kryesor e kanë dhënë rënia e PBB-së së partnerëve tanë tregtarë dhe rritja e papunësisë në vendet fqinje (Itali dhe Greqi). Kategoria “Ekonomia e brendshme” duket se e pasqyron krizën financiare pas tremujorit të katërt të vitit 2008, ku vlerësimi i rrezikut luhatet në notat 6 deri në 8. Kontributi kryesor në këtë vlerësim ka ardhur nga rënia e prodhimit dhe rritja e borxhit të jashtëm.
Individët
Treguesit e mesatarizuar të kategorive “Individët” dhe “Bizneset”, gjithashtu rezultojnë me nivel rreziku nën mesatar para krizës. Rreziku nga kategoria “Individët” ka filluar të rritet gjatë periudhës 2008-2010, kryesisht për shkak të rritjes së normës së papunësisë, rënies së cilësisë së portofolit të kredisë, rënies së pritshshmërive dhe dërgesave të emigrantëve. Pas tremujorit të dytë 2012, rreziku nga kjo kategori shënon një kapërcim të ri mbi mesataren dhe ka vazhduar të qëndrojë mbi këtë nivel, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të cilësisë së portofolit të individëve dhe ngadalësimit të kreditimit për familjet.
Bizneset
Kategoria “Bizneset” i reflekton pasojat e krizës pas tremujorit të katërt të 2008-s, që përkon me rënien e ritmit të kreditimit për bizneset nën mesataren afatgjatë, si dhe rënie të indeksit të vëllimit të prodhimit. Pas tremujorit të dytë 2012, niveli i rrezikut i përcjellë nga kjo kategori ka reflektuar një rritje të ndjeshme për shkak të ngadalësimit të kreditimit, përkeqësimit të cilësisë së kredisë dhe të pritshmërive të bizneseve.
Qeveria
Për kategorinë e “Qeverisë”, rreziku ka qenë mbi nivelin mesatar deri në tremujorin e katërt 2004, si rezultat i madhësisë së deficitit buxhetor dhe kostos së borxhit në këtë periudhë, por ka ardhur duke u zbutur gjatë periudhës së konsolidimit fiskal 2005-2006. Kjo tendencë ka vijuar deri në periudhën para krizës financiare, kur ky rrezik vlerësohej i ulët, me vlera të treguesit të mesatarizuar rreth 1 dhe 2. Në vitin 2009, treguesi është rritur pak mbi nivelin mesatar, kryesisht prej kontributit të madhësisë së borxhit të qeverisë dhe primit të rrezikut sovran (pesha e letrave me vlerë të qeverisë), por duke u pasuar nga një periudhë zbutjeje. Duke filluar që nga mesi i 2012, ecuria e treguesit të mesatarizuar të kësaj kategorie sinjalizon rritje të rrezikut, si rezultat i zgjerimit të ndjeshëm të borxhit dhe deficitit buxhetor dhe ecurisë së dobët të të ardhurave tatimore.
Bankat
Treguesi i mesatarizuar i “Kapitalizimit dhe përfitueshmërisë” së sektorit bankar paraqet vlera të ulëta rreziku si para krizës financiare (periudha 2006-2007) dhe gjatë saj (2007-2008), çka reflekton situatën e mirë të kapitalizimit dhe përfitueshmërisë (fitimeve) në këtë periudhë dhe mospërfshirjen e bankave tona në investime toksike. Rreziku lidhur me këtë kategori është rritur mbi mesataren që nga fillimi i vitit 2011 dhe ka vazhduar të qëndrojë i lartë, kryesisht si rezultat i nivelit të kredive me probleme. Nga ana tjetër, treguesi i mesatarizuar i kategorisë “Likuiditeti dhe financimi” shfaq një reagim të fortë në momentet e zhvillimit të krizës financiare në periudhën 2007-2008, me nota rreziku në rritje dhe mbi nivelin mesatar. Ai arrin vlerat maksimale gjatë periudhës 2008-2009, kur pasojat e krizës u ndien në sektorin bankar shqiptar kryesisht në aspektin e rritjes së pasigurisë së publikut, gjë që u shoqërua me rrjedhje të depozitave jashtë sistemit financiar dhe rënie të ndjeshme të likuiditetit. Pas kësaj periudhe, vlerësimi i rrezikut ka ardhur duke u zbutur, si rezultat i rikthimit të depozitave në sistem dhe përmirësimit të situatës së likuiditetit gjatë vitit 2010. Gjithsesi, niveli i rrezikut nga kjo kategori vijon të mbetet ndjeshëm mbi nivelin mesatar dhe me tendencë rritëse, ndikuar kryesisht nga rënia e vazhdueshme e ritmit të depozitimit të individëve në sistem dhe tendenca rënëse e raportit depozita/kredi.
Likuiditeti
Niveli i rrezikut nga “likuiditeti” vijon të mbetet ndjeshëm mbi nivelin mesatar dhe me tendencë rritëse, ndikuar kryesisht nga rënia e vazhdueshme e ritmit të depozitimit të individëve
Vlerësimi
Qeveria
Duke filluar që nga mesi i 2012, ecuria e treguesit të mesatarizuar të kësaj kategorie sinjalizon rritje të rrezikut, si rezultat i zgjerimit të ndjeshëm të borxhit publik
Individët
Rreziku nga kategoria “Individët” shënon një kapërcim mbi mesataren dhe ka vazhduar të qëndrojë mbi këtë nivel, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të cilësisë së portofolit
Bizneset
Niveli i rrezikut i përcjellë nga bizneset ka reflektuar një rritje të ndjeshme për shkak të ngadalësimit të kreditimit, përkeqësimit të cilësisë së kredisë dhe të pritshmërive
Ndikimi
Kriza greke ka rritur rrezikun për ekonominë
Vlerat e rrezikut nga kategoria e “ekonomisë së jashtme” janë rritur ndjeshëm në momentet e para të krizës (2007), duke reflektuar tronditjet në tregjet financiare përmes rritjes së normave kryesore të interesit (LIBOR, EURIBOR) dhe rritjes së shpejtë të çmimit të naftës. Me përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës gjatë periudhës 2008-2009, rreziqet kryesore rrjedhin nga ekonomia. Në disa momente të tjera, si gjatë krizës greke (2010), që u pasua me krizën e borxhit sovran në Eurozonë (2011) dhe në dy vitet e fundit (2013-2014), niveli i rrezikut nga zhvillimet e jashtme është rritur mbi nivelin mesatar, ndërkohë që rreziqet nga faktorë të brendshëm kanë ardhur duke u zhvendosur nga ekonomia reale drejt sektorit bankar, veçanërisht në treguesit e “likuiditetit dhe fondeve” dhe “kapitalizimit dhe përfitueshmërisë”. Në dy vitet e fundit (2013-2014), lëvizja e diagramës në kohë tregon se rreziqet që lidhen me agjentët ekonomikë janë në rritje, veçanërisht për individët dhe bizneset. Kjo reflekton rritjen e rreziqeve nga këta sektorë, si rezultat i tkurrjes së kredisë dhe përkeqësimit të cilësisë së saj, rënies së indeksit të vëllimit të prodhimit te bizneset dhe rritjes së papunësisë. Ndërkohë, rreziqet lidhur me “likuiditetin dhe financimin”, si dhe “kapitalizimin dhe përfitueshmërinë” kanë qenë të larta gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar nivelin e lartë të kredive me probleme.