Sipas tij, duhet të zgjidhet sa më shpejt çështja, pasi numri i udhëtarëve ka rënë me 50%
Vali Qyrfyçi
Nis rinovimi i trenave të udhëtarëve. Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi se stacioni i mbyllur i trenit në Tiranë do të ndërtohet sërish. Për herë të parë në dy dekadat e fundit, hekurudhat shqiptare vendosin të ndërhyjnë për rinovimin e trenave përmes të ardhurave të siguruara nga vetë shoqëria. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ka inspektuar punimet dhe përshëndetur nismën e ndërmarrë, si dhe hartimin e logos së re të hekurudhës shqiptare. “Në këtë ofiçinë janë duke u realizuar një grup vagonësh dhe një lokomotivë që do t’u shërbejë linjave të pasagjerëve, veçanërisht linjës Tiranë – Durrës. Drejtuesit e hekurudhës nuk i kanë shpenzuar kot të ardhurat që vijnë nga amortizimi i flotës së saj të vjetër dhe shitjes së saj, por i kanë investuar në mënyrë shumë të zgjuar, me qëllim që të krijojnë një standard tjetër për vagonët që do të përdoren për transportin e udhëtarëve”, theksoi ministri Haxhinasto. Ndërhyrja për riparimin e brendshëm dhe lyerja e jashtme të vagonëve të parë do të përfundojë më 15 maj, kohë kur pritet dhe të përfshihen në linjën Durrës – Tiranë. Ai shtoi se ka rënë me 50 për qind numri i udhëtarëve, qëkur u zhvendos stacioni i trenit në Kashar. Më tej, ministri Haxhinasto tha se po ndiqen të gjitha procedurat për dhënien me koncesion të disa segmenteve hekurudhore, për të cilat interesohen disa investitorë shqiptarë, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së stacionit hekurudhor të Tiranës, prishja e të cilit e ka ulur ndjeshëm numrin e pasagjerëve. “Jemi duke u përpjekur maksimalisht që të miratojmë si pjesë të korridoreve europiane linjën e Durrësit me Shkupin, po sigurisht që edhe linjat e brendshme janë shumë të rëndësishme. Zgjidhje sa më shpejt duhet t’i jepet ndërtimit të stacionit të Tiranës, pasi heqja e stacionit të vjetër të stacionit që ka qenë në fund të bulevardit “Zogu I” i ka përgjysmuar numrin e pasagjerëve të kësaj linje të rëndësishme. Jemi dakord që të ndërtohet stacioni multimodal i Kasharit apo në Kthesën e Kamzës, por stacioni i trenit në Tiranë duhet të ekzistojë në çdo lloj rrethane”, u shpreh Haxhinasto. Vëmendja në transportin hekurudhor momentalisht është te fuqizimi i linjave të brendshme, ku për rinovimin e një vagoni kostoja është 25 milionë lekë të vjetra i siguruar nga të ardhurat e hekurudhës shqiptare. Ndërkohë, prej vitesh nuk është bërë asnjë investim në përmirësimin e sistemit hekurudhor, duke e lënë këtë të fundit në gjendje të mjerueshme. Ministri ndau dhe pritshmëritë për investime në infrastrukturën shqiptare nga gjiganti kinez i ndërtimit “China Pacific Construction Group”: “Jam shumë i kënaqur nga interesi i shprehur nga z. Jan, i cili është drejtuesi i firmës më të madhe private të Kinës në fushën e ndërtimit, ‘Pacific Corporation’, të cilin e shoqërova edhe sot për të parë mundësi të ndryshme investimesh për infrastrukturën e Shqipërisë. Sigurisht një kompani e përmasave të tilla i hedh hapat me kujdes dhe ata janë duke parë të gjitha mundësitë që të angazhohen për investime, qoftë në infrastrukturën e transportit, qoftë në investime të tjera në turizëm apo edhe në sektorë të tjerë. Kjo ishte një vizitë njohjeje për të parë realitetin shqiptar e me kënaqësi mund të them se u konstatua si shumë i përshtatshëm vendi ynë për investime nga ky grup”.
SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]