IMG_4224 (1)Ministri Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, mori pjesë në konferencën rajonale mbi planin e investimeve në infrastrukturë, mbajtur në Lubljana të Sllovenisë.


Në takim merrnin pjesë ministrat e Transportit të rajonit, përfshirë vendet anëtare të BE, Greqinë e Rumaninë. Ministri vlerësoi procesin e Berlinit, dhe hartën e projekteve rajonale të cilat u miratuan në Samitin e Vjenës, vitin e kaluar. Haxhinasto, shprehu gatishmërinë për të realizuar detyrimet kombëtare në funksion të rrjetit evropian, por sipas tij ekziston një hendek në gjithë rajonin midis nevojave për financim dhe mundësive të secilit vend.


Ministri dha një përmbledhje të investimeve të kryera në vendin tonë deri me sot dhe u ndal tek financimet që kanë marrë segmente të ndryshme përgjatë pjesës shqiptare të Korridorit Adriatik-Jonian, nga segmentet Hani Hotit- Shkodër, deri tek segmentet Tepelenë-Gjirokastër-Kakavije. Gjithashtu ai përmendi financimet aktuale të segmenteve si Bypassit të Rrogozhinës,  Fierit dhe Vlorës, investime totale këto prej 100 milion euro.


Ministri Haxhinasto, u ndal tek çështja e mungesës se financimeve në të gjithë vendet e rajonit dhe përveç se e vuri theksin tek domosdoshmëria e angazhimit të sektorit privat në forma të ndryshme të PPP,  prezantoi edhe konceptin për bashkimin e fondeve nga institucionet financiare evropiane me fonde private, për të realizuar nivele të pranueshme të kostos së parasë për projektet strategjike.


22 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)