Edmond HaxhinastoMinistri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka pritur në një takim nën kryetarin e Bashkisë së Torinos, Claudio Lubatti, dhe përfaqësues të kompanisë së transportit italian “GTT”.  Në takim u diskutua për  përforcimin e bashkëpunimin në transportin ndërqytetës,  por edhe shkëmbimin e eksperiencës në monitorimin dhe kontrollin  trafikut.


Lubatti, i paraqiti Ministrit përshëndetjet e kryetarit të Bashkisë së Torinos, Piero Fassino dhe  e njohu me marrëdhëniet e shkëlqyera që bashkia ka me komunitetin shqiptar atje.


Ministri Haxhinasto, e informoi zotin Lubatti me reformën që është ndërmarrë në transportin ndërqytetës, duke theksuar se sfida e reformës është ristrukturimi i plotë i këtij sektori, krijimi i shoqërive aksioneve në bashkitë e vendit, dhe rinovimi i flotës brënda 5 viteve të ardhshme, me qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.


Nënkryetari Lubatti, u shpreh i gatshëm për të ofruar eksperiencën torineze për  palën shqiptare.


Më tej zoti Lubatti, e njohu ministrin edhe me sistemin e biletimit elektronik që po aplikohet në Torino, eksperiencë që ka rezultuar e sukseshme por edhe duke sjellë efekte në ekonomi, pasi redukton me 20-30 % evazionin në këtë sektor.


Ministri Haxhinasto, tha se  biletimi elektronik është në planet e Ministrisë, për ta aplikuar si projekt pilot në 3 linja kryesore Tiranë-Elbasan, Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Shkodër, me qëllim që qytetarët të paguajnë vetëm për kilometrat që përshkojnë.


Ministri Haxhinasto, i uroj përfaqësuesve të të majtëve italianë në Bashkinë e Torinos, suksese në zgjedhjet e qershorit.


15 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)