Situata
Konfindustria, mbështetur në të dhënat e ardhura në mënyrë të vazhdueshme pranë saj nga industritë kryesore të vendit, shpreh shqetësimin për mungesën e ndjeshme të likuiditetit në treg në periudhën e 3-mujorit të parë të vitit 2012 me të cilën ndeshen bizneset dhe sidomos industritë. “Është krejtësisht e papranueshme situata e krijuar në vend ndërkohë, që sistemi bankar shqiptar zotëron sasitë më të mëdha të likuiditetit në krahasim relativ me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrias.
Biznesi kërkon nga qeveria dhe Banka e Shqipërisë, që në një kohë sa më të shpejtë të ndërmarrin masat e duhura për të shmangur kontradiktën e mësipërme ndërmjet një sistemi bankar në zotërim të sasive të mëdha likuiditeti dhe një ekonomi reale me mungesa të skajshme të likuiditetit. Buxhuku shton se, kur vetëm në 5-mujorin e parë të vitit 2012 në sistemin bankar shqiptar kanë hyrë mbi 700 milionë euro kryesisht nga Greqia, masa e kreditimit të ekonomisë për të njëjtën periudhë paraqitet në rënie.
Konfindustria vlerëson, se niveli relativisht i ulët i jetës së qytetarëve shqiptarë përcakton nivelin e konsumit të mallrave dhe shërbimeve bazike më të domosdoshme të jetesës dhe çdo rënie e mëtejshme e treguesit të shitjeve dhe treguesit të fitimit do të prekte ndjeshëm deri në falimentim para së gjithash industritë prodhuese vendore.