Janë 83 793 subjekte aktive që rezultojnë të papajisura me kasë fiskale
Kasat – Në 1 tetor 2013, numri i subjekteve që kishin kasë fiskale ishte 60 869, ndërsa në 20 gusht 2015, ky tregues arriti shifrën 84 121.
Kuponët – Në korrik 2013, u lëshuan 4 857 354 kuponë, ndërsa në korrik 2015, u lëshuan 18 692 368 kuponë fiskalë.
Karburantet – Në korrik 2013, nga pikat e karburanteve u lëshuan 3014798 kuponë, ndërsa në korrik 2015, u regjistruan 4832108 kuponë fiskalë.
Zamir Alushi
Të paktën 1 në 2 biznese është pa kasë fiskale. Nëse do të shtonim këtu numrin e lartë të atyre që kanë një pajisje fiskale, por jo funksionale, si dhe ata që nuk lëshojnë kuponin tatimor, evazioni mund të jetë më i lartë. Në total, Qendra Kombëtare e Regjistrimeve ka të regjistruara 169 528 biznese aktive (që kanë aktivitet të përhershëm), nga të cilat deri në 20 gusht 2015, ishin me kasë fiskale vetëm 84 211 subjekte. Pra, 83 793 persona fizikë apo juridikë nuk kanë një kasë fiskale. Por numri i personave që kryejnë aktivitet informal mund të jetë edhe më i madh nëse do t’i referoheshim listës së personave që janë regjistruar në gjykatë, por nuk kanë marrë një numër NUIS në administratën tatimore (pra, janë të paregjistruar si person i tatueshëm). Sipas QKR, numri i subjekteve me vendim gjykate të paregjistruar në tatime është 83 793. QKR ka dy lista të tilla (njëra prej të cilave është me 33 837 dhe tjetra me 49 956 persona fizikë e juridikë. Në qoftë se do t’i referohemi fluksit të këtyre ditëve të atyre që kërkojnë të regjistrohen dhe të marrin kasë fiskale (6 mijë vetë për dy muaj), shtesa është disa herë më e madhe se në muajt e kaluar, por e pamjaftueshme për të mbyllur gropën e informalitetit. Në 2014-n u regjistruan 16 731 biznese të reja ose 40% më shumë se 2013-a. 85% e tyre janë sipërmarrje të vogla. Ky ritëm është ruajtur edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2015 dhe tregon për një tendencë të formalizimit të bizneseve.
Progresi i pajisjes me kasa
Në 1 tetor 2013, sipas të dhënave zyrtare, numri i subjekteve që kishin kasë fiskale ishte 60 869. Në 31 dhjetor 2014, numri i subjekteve me kasë fiskale u bë 74 235, ndërsa më 20 gusht 2015, ky tregues arriti shifrën 84 121. Numri i kasave fiskale ka ecur në proporcion të zhdrejtë me rritjen e numrit të bizneseve të reja. Qeveria “Berisha” dështoi në objektivin për vendosjen e kasave fiskale megjithëse ofroi një reformë shumë joshëse për biznesin. Në vitin 2011, qeveria aplikoi një ligj që u mundësonte bizneseve rimbursimin e vlerës së kasave fiskale dhe taksimetrave, përkatësisht 44 mijë lekë dhe 30 mijë lekë. Rimbursimi bëhej duke zbritur diferencën nga detyrimi tatimor. Gjithsesi, procesi, sipas akuzave të opozitës së atëhershme, u shoqërua nga abuzime të mëdha dhe korrupsion.
Kuponët tatimorë
Në prill 2013, sipas Administratës Tatimore, u regjistruan 11 302 062 kuponë fiskalë të lëshuar nga subjektet. Pas zgjedhjeve, në korrik 2013, ky numër ra në 4 857 354 kuponë. Një vit më vonë, në korrik 2014, u arrit që ky tregues të rritej në 13 758 595 kuponë, ndërsa në muajin korrik 2015, u lëshuan 18 692 368 kuponë fiskalë. Kjo shifër është e lartë krahasuar me një vit më parë, por shënon një ngadalësim të procesit po të kihet parasysh se janë lëshuar rreth 900 mijë kuponë më tepër. Një progres i veçantë është bërë me kuponët tatimorë që lëshojnë pikat e karburanteve, ku janë lëshuar 1.8 milionë kuponë më tepër në raport me 20 muaj më parë. Në korrik të vitit 2013, kuponët e lëshuar nga pikat e shitjes me pakicë të karburanteve ishte 3 014 798, ndërsa në korrik 2015, pas operacionit që u krye në këtë sektor, u regjistruan 4 832 108 kuponë fiskalë.
Fluksi
Operatorët e licencuar për tregtinë dhe mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale po përballen me kërkesa të rritura. “Fluksi i një dite në ditët e fundit mund të barazohet me fluksin e një muaji të muajve të mëparshëm”, deklarojnë në QKR. Veç kërkesave për kasa të reja, kompanitë thonë se po përballen me një fluks të lartë edhe për zhbllokimin e kasave ekzistuese, nga bizneset të cilat ndonëse i kanë marrë ato më parë, nuk i kanë vënë në punë. “Paraqiten klientë që aplikojnë për kasa, kryesisht biznese të reja, por ka edhe përfaqësues të bizneseve të mëparshme që nuk e kanë përdorur asnjëherë kasën dhe tani janë paraqitur për të bërë zhbllokimin e saj”, deklaroi drejtorja e QKR-së, Vasilika Vjero.