Lëshimet: Premton heqje të taksave për të vetëpunësuarit, taksë për shtëpinë vetëm 1 euro


Takimi me KryeministrinNegociatat – “Që sot, pas disa takimesh, ministri i Ekonomisë dhe i Financave do të përcaktojnë çmimin e mundshëm të kasave fiskale”, tha Rama


Çmimet – Sipas Kryeministrit, “do të ketë një ulje të konsiderueshme të çmimit të kasave dhe ulje drastike të shpenzimeve të mirëmbajtjes”


Banesat – “Njerëzit duhet të regjistrohen me një kuotë minimale për shtëpinë e parë, 1 euro në vit pasuria”, premtoi Rama


Veçimi – “Zejtarët, të vetëpunësuarit nuk janë një biznes që merr kontabilist, paguan TVSH e histori të tjera. Ne do të bëjmë një dallim shumë të fortë, pasi të gjithë të regjistrohen”, tha Rama


Zamir Alushi


kasa fiskaleKryeministri Edi Rama paralajmëron uljen e çmimeve të kasave fiskale dhe tarifave të shërbimit të mirëmbajtjes, po ashtu paralajmëroi përjashtimin nga taksat të të vetëpunësuarve dhe uljen e taksës së pasurisë në 1 euro. Duke folur në takimin kombëtar me organizatat e biznesit, Rama u shpreh se kanë nisur negociatat me kompanitë e autorizuara nga qeveria.


Kasat


“Këtë monopol të kasave fiskale ne e konsiderojmë një monopol shtetëror dhe kompanitë që bëjnë këtë shërbim nuk mund ta trajtojnë si treg të lirë, ku i rrisin çmimet sa të duan”, deklaroi Rama dhe shtoi se këto kasa fiskale po shiten sikur janë prodhimet e Steve Jobs. “Kështu që sot, pas disa takimesh, ministri i Ekonomisë dhe i Financave do të përcaktojnë çmimin e mundshëm të kasave fiskale, me një ulje të konsiderueshme dhe uljen drastike të shpenzimeve të mirëmbajtjes”. Në treg ka një spektër të gjerë çmimesh për pajisjet fiskale, që nisin nga 300 euro deri në mbi 1000 euro. Po ashtu, çmimi i mirëmbajtjes shkon rreth 90 euro mesatarisht në vit. “Kasa, që mirë se i blejnë shqiptarët sikur po blejnë kompjuter ‘Apple’ me dedikim nga Steve Jobs, po paskan edhe një limit që, në qoftë se të kalojnë 1800 raporte, duhet t’i zgjerosh memorien”, tha Rama. Duke vazhduar me këtë konstatim, Rama deklaroi se, “për t’u zgjeruar trurin këtyre kompjuterëve, u dashka paguar 220 milionë euro. “Çfarë t’u kërkojmë ne atyre që shesin në një dyqan si të vetëpunësuar, t’ju kërkojmë që të futen në borxhin e jetës, për t’u formalizuar?!” përshkroi situatën Rama. Kryeministri u shpreh se kjo situatë nuk ka qenë zgjedhja e kësaj qeverie, por është e trashëguar. “Kompanitë kanë bërë investimet e tyre. Ne nuk po themi që ata do të punojnë 100% për shtetin dhe për konsumatorët, por po themi që ata duhet të mësojnë të fitojnë pa pasur gjak të thithur babëzisht nga të tjerët, në paratë që marrin”, deklaroi Rama.


Lëshime të vetëpunësuarve


“Besoj se është e nevojshme dhe për këtë ne do të diskutojmë edhe me kryetarin e unionit dhe me bordin apo si jeni ju të organizuar që të gjejmë rrugë për të ndarë mirë se çfarë është biznesi”, vazhdoi Kryeministri. “Unë nuk dua më të flasim për biznes të vogël dhe biznes të madh, por çfarë është biznes që është i lidhur me zinxhirin e tregtimit me shumicë dhe çfarë është biznes që është vetëm vetëpunësim”, tha Rama dhe mori një shembull: “Një grua që arnon pantallona për çunat e lagjes dhe që nxjerr vetëm rrogën e vet, një këpucar dhe një sërë zejesh të tjera, – kemi edhe ligjin e zejeve, – janë një burim, janë një mundësi e mirë vetëpunësimi, por nuk mund të jenë dot në kushtet e një biznesi që merr kontabilist, paguan TVSH e histori të tjera”. Këtu, tha Rama, do të bëhet një dallim shumë i fortë, pasi të gjithë të regjistrohen. Kryeministri u bëri thirrje të gjithë atyre që janë në këto kushte, profesionet zeje, por duke përjashtuar dentistët. “Të mos kujtojnë dentistët se do t’i trajtojmë si këpucarë, se marrin goxha për një dhëmb dhe përveçse të lënë edhe nofullën jashtë loje tri ditë, nuk e njohin fare kuponin”, tha Rama. “Dikush ka një dyqan që shet qëndisma, që nuk i vijnë as nga importi, as nga grosistët, por janë produkt i punës së një familjeje. Si mundet t‘u themi atyre, shkoni kontabilizohuni! Po, ata duhet të regjistrohen”, u shpreh Kryeministri. Megjithatë Rama u shpreh se duhet kontroll mbi të vetëpunësuarit. “Na duhet të bëjmë një politikë absolutisht liberale dhe mundësisht pa asnjë taksë. Zero! As taksë, as TVSH, asnjë gjë. Por regjistrim dhe monitorim, për të mos pasur nga ato lodrat që krijohen zinxhirë rrobaqepësish nëpër lagje, për të bërë fabrikë pantallonash, sepse ky është kreativitet i njohur i shqiptarëve”, tha Rama. Nuk duam ta vrasim këtë kreativitet, u shpreh Kryeministri, por duam vetëm që në radhë të parë të stimulojmë fort vetëpunësimin dhe lehtësirat për këtë biznes.


Do të ulet taksa e pasurisë


Taksa e pasurisë është një taksë relativisht e lartë dhe ka një nivel shlyerjeje të ulët. Të gjitha banesat, të ndërtuara para vitit 1993, të cilat ndodhen në Zonën 1 (Tirana dhe Durrësi), 2 ose 3, kanë një taksë vjetore për m², përkatësisht 15 lekë, 10 lekë ose 5 lekë. Për ato banesa të ndërtuara gjatë ose pas vitit 1993, të cilat ndodhen në zonën 1, 2 ose 3 kanë një taksë vjetore për m², përkatësisht 30 lekë, 12 lekë ose 6 lekë. Me të njëjtën logjikë që mbrojti të vetëpunësuarit, Kryeministri premtoi edhe uljen e taksës së pasurisë në nivelin simbolik 1 euro. “Unë kam bërë një bisedë dhe vazhdoj të insistoj, megjithëse nuk është vendimi ynë, por është vendimi i kryetarëve të bashkive, për të vepruar edhe për taksën e pasurisë”, njoftoi Rama. Në radhë të parë, tha ai, njerëzit duhet të regjistrohen me një kuotë minimale për shtëpinë e parë, 1 euro në vit taksa e pasurisë për shtëpinë e parë. “Shtëpia e dytë është histori tjetër, apartamentet bosh që i mbajnë peng sipërmarrësit është një histori tjetër”, tha prerazi Rama. Kryeministri foli edhe për ulje të TVSH-së në turizëm dhe për investimet në këtë sektor, por kërkoi formalizimin e subjekteve të hotelerisë. Me gjithë tonin e ashpër të përdorur ndaj fenomenit të informalitetit dhe konfirmimin e gjobave shumë të larta që do të miratohen së afërmi, Rama krahas shkopit ka përdorur edhe karotën, duke ofruar lëshimet e para.